Trajneri Arsim Plepolli beson se Kombëtarja e Kosovës ka gjasa reale të kualifikohet në EURO 2020 – përmes Grupit A ose play-offs të Ligës së Kombeve – dhe thekson se tani Kosova ky synim më të madh sesa vetëm të luajë mirë në këto ndeshje.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje vendimtare për fatin e saj në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 gjatë dy javëve të ardhshme – kur më 14 nëntor do ta vizitojë Çekinë e tre ditë më vonë do ta presë Anglinë në “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Express.

Për momentin, Kosova
radhitet në pozitën e tretë në Grupin A me 11 pikë të fituara nga gjashtë
ndeshjet e para – një më pak sesa Çekia dhe katër më pak sesa Anglia.

“Tash duhet të bëhemi
realistë, nuk duhet të lavdërohemi vetëm me një fitore, të themi se ishte një
lojë shumë e mirë, tani e kemi vetëm kualifikimin. Çdo seleksion nëse nuk e ka
kualifikimin, tani nuk mund ta quajmë sukses”, ka thënë Plepolli në emisionin
sportiv në T7, “Favorit”.

“Ne po e fitojmë një
ndeshje për shembull një lojë e luajmë mirë kundër Turqisë apo Gjermanisë, ne
po krenohemi me një lojë… nëse mendojmë kështu, e kemi gabim. Tash jemi
Kombëtare e re, por kemi potencial shumë të mirë. Atëherë, pse të mos e ndjekim
kualifikimin?”

Kosova duhet të
ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur
kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund
t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër
Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet
nëse humb kundër Republikës Çeke. 

– Nëse Kosova e mposht
Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati
i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i
duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë
kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht
rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon
kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe
Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e
arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si
fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve. /Gazeta Express/