Trajneri Arsim Plepolli i ka kritikuar disa trajnerë të huaj në kampionatin kosovar, duke e vënë në dyshim cilësinë e tij. Ai e theksoi rastin e ish-trajnerit të Vushtrrisë, Antonio Toma, i cili tashmë është shkarkuar.

Më 22 tetor të këtij viti, Vushtrria bëri të ditur se e ka shkarkuar Antonio Toman nga pozita e trajnerit të skuadrës, duke e zëvendësuar atë me Fitim Llapashticën, shkruan Gazeta Express.

Toma u shkarkua
pikërisht në ditën e ndeshjes me Feronikelin, të cilën Vushtrria pastaj e humbi
në shtëpi me deficit minimal 1:0. Trajneri Plepolli beson se klubi e mori
vendimin e duhur për ta shkarkuar atë.

E përderisa Plepolli
beson se kampionatit kosovar mund t’i vijnë në ndihmë trajnerët nga jashtë, ai
beson se niveli dhe cilësia e tyre duhet të jetë e lartë dhe jo vetëm të
emërohet një trajner për shkak të prejardhjes së tij nga jashtë Kosova.

“Unë gjithmonë jam që
në Kosovë të ketë trajnerë të huaj, mirëpo trajnerë prej të cilëve ne mund të
mësojmë diçka. Tash e kemi rastin e disa trajnerëve këtu në Kosovë, po t’i
përmendi”, ka thënë Plepolli në emisionin sportiv në T7, “Favorit”.

“Në Vushtrri erdh
trajneri që thanë se ishte ndihmës i Mancinit, po jo bre këto janë pallavra.
Erdh trajneri i Vushtrrisë… kur hupte 3:0,  thoshte i kena shkel me
lojë. Por, ne s’hamë bar, edhe ne dimë diçka”.

“Vjen trajneri në Liri
të Prizrenit, e din gjuhën italiane e qenka i mirë. Unë nuk jam kundër
trajnerëve të huaj. Nëse Agim Sopi i Feronikelit është i mirë, unë do t’i shkoj
në ushtrime dhe do t’ia marr të mirat e të këqijat do t’ia la”.

“Por, jo të vijnë për
të na filozofuar, thua ti se ne nuk kemi parë kurrë futboll”.

Aktualisht Vushtrria
radhitet në pozitën e dhjetë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës, me vetëm
nëntë pikë të fituara nga 13 ndeshjet e para – tri fitore, dhjetë humbje dhe
asnjë barazim. /Gazeta Express/