Presidenti
Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Stamboll, është takuar me presidentin e UEFA-s,
Aleksander Ceferin, si dhe me homologët e tij Nihat Ozdemir nga Turqia, Davor
Shuker nga Kroacia dhe Elvedin Begiq nga Bosnja e Hercegovina.

Gjatë këtij takimi presidenti Ademi është
përgëzuar për serinë e shkëlqyeshme të Kombëtares sonë, si dhe për punën e mirë
që po bën FFK-ja në zhvillimin e futbollit. Gjatë bashkëbisedimit presidenti
Ceferin e përgëzoj presidentin Ademi për punën dhe realizimin e programit dhe projekteve
të strategjisë së re të UEFA-s, duke theksuar se FFK-ja është njëra nga
federatat e para që i ka realizuar të gjitha projektet.

 Po
ashtu, Ceferin theksoi se Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të
veçantë dhe përkrahje në vazhdimësi nga ky asociacion. Ndërkaq, presidenti
Ademi e preku edhe temën e ndeshjeve ilegale të klubeve serbe, me ç’rast kërkoj
nga UEFA që të respektohet statuti i saj në lidhje me përzierjen e ligave të
shteteve tjera në territorin e një anëtari të UEFA-s, siç është tani rasti i
Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për shtetet
të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, e që do të jenë mysafire në
Kosovë për ndeshjet kualifikuese, siç është rasti me Rusinë në konkurrencën e
femrave. Me këtë rast, presidenti Ademi garantoi siguri të plotë për Rusinë dhe
për çdo kombëtare tjetër, si dhe mikpritje dhe respektim të plotë të
rregulloreve të UEFA-s e FIFA-s.