Paris Saint-Germaini e ka refuzuar edhe ofertën e fundit të Barcelonës për transferimin e Neymarit gjatë këtij afati kalimtar të verës, këtë herë në formë huazimi për sezonin e ardhshëm.

Të hënën, burimet e ESPN në Barcelonë thanë se katalonasit
po e bënin një ofertë për huazimin e Neymarit me opsionin për ta blerë atë verën
e ardhshme, mirëpo kjo ofertë nuk është mjaftueshëm e mirë për parisienët,
transmeton Gazeta Express.

Paris Saint-Germaini do ta refuzojë edhe formalisht këtë
ofertë ose të martën, ose të mërkurën pasi që kjo ofertë nuk i përshtatet
klubit të Ligue 1.

Pronarët nga Katari të PSG-së janë të zhgënjyer nga sjellja
e Neymarit këtë verë dhe ata janë të gatshëm ta lënë atë të largohet, por vetëm
nëse i kthejnë 222 milionë eurot që i shpenzuan për ta sjellë atë nga Barcelonë
në Paris gjatë verës së vitit 2017.

Gjithashtu, në Paris besojnë se Barcelona nuk do ketë mundësi
ta paguajë shumën e plotë të transferimit të Neymarit verën e ardhshme dhe se
ata do të kërkonin që ta bënin këtë pagesë të ndarë në disa pjesë. Kjo metodë
nuk është e favorshme për PSG-në.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, po tenton të marrë sa më
shumë para që të jetë e mundur për Neymarin. Situata komplikohet nga huazimi i Philippe
Coutinhos në Bayern, pasi që ai pritej të jetë i përfshirë në ofertën e
katalonasve për Neymarin, në një ofertë para plus lojtarë.

Neymari ende e dëshiron largimin nga “Parc des Princes” këtë
verë dhe ai do të preferonte të kthehej në Barcelonë, ku kishte luajtur mes
viteve 2013-2017.

Burimet e ESPN thonë se superylli brazilian po tenton të qëndrojë
pozitiv, por ai e di se një marrëveshje për ta kthyer atë në “Camp Nou” po bëhet
gjithmonë e më e vështirë për t’u arritur.

Neymari – i cili po vazhdon të stërvitet i vetëm, larg
ekipit të parë të PSG-së – nuk ka luajtur në asnjërën prej dy ndeshjeve hapëse
të klubit në Ligue 1 këtë sezon. Leonardo ka bërë të ditur se ai s’do të jetë i
përfshirë deri kur situata e tij të qartësohet. /Gazeta Express/