Qeveria e Kosovës në fillim të javës kishte marr vendim që Trepçës t’i ndahen 1.1 milion euro.

Ky vendim është marr pasi minatorët e minierës në Stantërg kishin ndërprerë punën në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani edhe pse është ndarë kjo vlerë, punëtorët ende nuk janë paguar për pagën e mbetur.

Osmani për Telegrafin ka thënë se janë në pritje nga ministria përkatëse, që sa më shpejtë të ndahen këto mjete.

“Edhe pse Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.1 milionë euro për Trepçën, punëtorët deri më sot nuk e kanë marr pagën e mbetur, pra të muajit tetor. Sipas premtimeve të ministrisë, pagat pritet të dalin më së largu ditën e hënën të javës së ardhshme, pasi sipas tyre janë disa procedura deri sa të bartën të gjitha mjetet”, tha Osmani.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.