Marcus Rashfordi thotë se ai nuk e ka asnjë problem me penalltinë e Paul Pogbas të hënën, përkundër që francezi gaboi nga pika e penalltisë dhe Manchester Unitedi i humbi dy pikët e para në Premierligë.

“Djajtë e kuq” u detyruan të mjaftohen me një barazim kundër
Wolves të hënën në stadiumin “Molineux”, me Anthony Martialin dhe Ruben Nevesin
që shënuan për skuadrat e tyre në xhiron e dytë të sezonit të ri të Premierligës,
transmeton Gazeta Express.

Por, Manchester Unitedi e pati mundësinë t’i fitojë tri pikët
e kësaj ndeshjeje përmes Pogbas, mirëpo mesfushorit francez ia mbrojti
gjuajtjen nga pika e penalltisë portieri Rui Patricio.

Pritja e Patricios ishte e mjaftueshme për t’ia siguruar
skuadrës së vet një pikë të fituar me vështirësi, përderisa Pogba mori edhe më
shumë kritika për shkak se kjo ishte penalltia e katërt të cilët e kishte
humbur gjatë vitit 2019.

Pas ndeshjes, trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar
Solskjaer, zbuloi se Pogba dhe Rashfordi janë të caktuar për gjuajtjen e
penalltive. Anglezi nuk u shpreh aspak i zhgënjyer që nuk e gjuajti këtë
penallti, përkundër që Pogba nuk u tregua i saktë.

“Pauli e deshi atë. Është kaq e thjeshtë. Të gjithë mund ta
humbin një penallti. Ai ka shënuar nga penallti të panumërta për ne dhe gjatë
gjithë karrierës së tij”, ka thënë Rashfordi në një intervistë të dhënë për Sky
Sports, pas ndeshjes.

“Është normale ta humbësh një penallti. Ne po e harrojmë këtë
gjë tani. Do të ecim përpara me ndeshjen tjetër dhe nëse luajmë siç luajtëm
sot, me pak më shumë urgjencë, atëherë do të jemi mirë”.

“Është shumë e thjeshtë. Kur dëshiron ta gjuash ti
penalltive, e gjuan. Unë e mora penalltinë e javës së kaluar, kështu që nuk është
aspak problem që ai ta marrë këtë javë. Për fat të keq ai nuk shënoi, por ky është
futbolli”. /Gazeta Express/