Rashica me shokë u kthehen fitoreve pas një fundi dramatik të ndeshjes


Sport


Gazeta Express

23/05/2020 17:34

Werder Bremeni i Milot Rashicës ka arritur t’i japë fund ecurisë prej shtatë ndeshjeve pa fitore në Bundesligë, pasi e mposhti me rezultat 1:0 Freiburgun në stadiumin Schwarzwald, në kuadër të xhiros së 27-të të Bundesligës.

Ylli kosovar Milot Rashica dhe bashkëlojtarë s’kishin
arritur të sigurojë fitore në Bundesligë që nga fitorja me epërsi minimale kundër
Dusseldorfit më 18 janar. Megjithatë, sot, Bremeni i dha fund kësaj ecurie të dobët,
transmeton Gazeta Express.

Bremeni mori fitore me epërsi minimale falë
golit të shënuar nga Leonardo Bittenbourt në minutën e 19-të të ndeshjes, përderisa
asistin e bëri Davy Klaassen.

Rashica nuk arriti të lërë gjurmë po aq sa do të
kishte shpresuar në këtë ndeshje, ndërsa u zëvendësua në minutën e 82-të të ndeshjes,
kur trajneri Florian Kohfeldt e futi në ndeshje Davie Selken.

Pas zëvendësimit të Rashicës filloi pjesa më dramatike
e ndeshjes, pasi që vetëm pak minuta më vonë bashkëlojtari i kosovarit, Philipp
Bargfrede, u ndëshkua me karton të kuq.

Pasi mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, Bremeni
u zhgënjye edhe më tutje kur Freiburgu arriti ta barazojë rezultatin. Por,
drama s’mori fund këtu pasi që pas ndërhyrjes së VAR-it, goli i Freiburgut u
anulua për pozitë jashtë loje.

Pas kësaj fitoreje dramatike, Bremeni i merr
tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë në Bundesligë. Skuadra e Rashicës
radhitet në pozitën e 17-të në tabelën e Bundesligës, me 21 pikë të fituara nga
26 ndeshjet e zhvilluara. /Gazeta Express/