Anel Rashkaj është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka për Kosovën ndeshja e së hënës kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi, prandaj mesfushori prizrenas u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të tregojnë kujdes të shtuar.

Mesfushori i klubit suedez Athletic Eskilstuna,
i cili u rikthye këtë vit në ekipin kombëtar të Kosovës pas dy vjetëve, e vlerësoi
lart Malin e Zi gjatë një konference për media të mërkurën në Prishtinë, raporton
Gazeta Express.

Kosova e pret të hënën në stadiumin Fadil
Vokrri Malin e Zi, ende me gjasa shumë të mëdha për t’u kualifikuar në
Kampionat Evropian në tentimin e parë, sepse pas pesë xhirove, verdhekaltrit
gjenden në vendin e tretë me vetëm një pikë prapa Republikës së Çekisë, e cila
pozicionohet në vendin e dytë, që dërgon direkt në Euro 2020

Duke folur për rëndësinë e kësaj ndeshje,
Rashkaj tha: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj Malit të Zi. Nuk duhet ta
shohim ndonjë kundërshtar më ulët se ne. Duhet të jemi të fokusuar dhe me
këmbët në tokë. Mali i Zi ka lojtarë të mirë, luajnë në Spanjë e Itali, të mos
e nënvlerësojmë, ta japim maksimumin, si të luajmë me Anglinë. Duhet ta japim
më të mirën, të jemi të kujdesshëm ndaj çdo kundërshtari”.

30-vjeçari nuk ka debutuar si titullar ende për
Kombëtaren dardane, pasi deri tani i ka bërë vetëm tri paraqitje nga stoli nën
udhëheqjen e Bernard Challandes, thotë se ndihet i gatshëm të luajë kur t’i
ofrohet mundësia.

“Duhet te jem i fokusuar për çdo situatë, ka
ndeshje që mund të luash nga fillimi ose jo. Jam gati në çdo moment, kurdo që
më jepet rasti, në çdo ndeshje”, shtoi ai. /Gazeta Express/