Real Madridin e pret një verë pa asnjë transferim


Sport


Gazeta Express

30/05/2020 23:29

Përhapja e virusit Covid-19 në botë do të bëjë që ndeshjet e La Ligës të luhen në korrik, ndërsa ato të Ligës së Kampionëve të zhvillohen në gusht. Megjithatë, këto s’do të jenë ndryshimet e vetme që do t’i sjellë koronavirusi në botën e futbollit.

Në epokën moderne të futbollit, tifozët e Real
Madridit janë mësuar ta shohin ekipin e tyre duke shtuar përforcime të shumta
në skuadrën e tyre gjatë afateve kalimtare të verës, e më pak gjatë janarit,
transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, kjo verë mund të sjellë një
ndryshim të madh për Los Blancos, pasi që e përditshmja spanjolle Marca shkruan
se Real Madridi mund të mos e bëjë asnjë transferim gjatë kësaj vere.

Si shumë klube të tjera, Real Madridi ka
pësuar dëme të mëdha financiare shkaku i ndërprerjes së sezonit 2019/20.
Fillimisht, klubi ka humbur nga mungesa e shitjes së biletave, si dhe i ka
humbur paratë që zakonisht i fiton nga shitja e gjësendeve në shitoren e
klubit.

Megjithatë, bordi drejtues i Real Madridit
tani është duke kërkuar për një zgjidhje ndaj këtyre problemeve financiare.

Drejtuesit e gjigantit spanjoll duan ta
kuptojnë nëse mund t’i mbulojnë të gjitha humbjet përmes uljes së pagave të
lojtarëve dhe drejtorëve.

Sezonin e ardhshëm, Los Blancos pret t’i humbë
rreth 150 milionë euro përfitime financiare shkaku i ndeshjeve të zhvilluara
prapa dyerve të mbyllura. Kjo situatë e lë Real Madridin ta mendojë si opsionin
e vetëm kursimin e parave gjatë afatit kalimtar.

Lojtarët për të cilët thuhej se Real Madridi dëshironte
t’i transferonte gjatë verës janë kontaktuar nga klubi dhe atyre u është thënë që
ose të dëgjojnë oferta nga klubet e tjera, ose të presin edhe një vit për transferim
në Santiago Bernabeu. /Gazeta Express/