Renia e Arda Turan: Kontrata e tij me Barcelonën skadon sot, më 30 qershor


Futboll


Gazeta Express

30/06/2020 19:15

Në korrik të vitit 2015, pak njerëz kanë mundur ta paramendonin sesi do të përfundonte lidhja e Arda Turanit me Barcelonën.

Futbollisti turk iu bashkua Barcelona nga
Atletico Madridi për 34 milionë euro dhe sot, më 30 qershor, kontrata e tij pesëvjeçari
mbaron, transmeton Gazeta Express.

Turan kishte shkëlqyer për katër vite të plota
në fanellën e Atleticos, duke i zhvilluar 178 ndeshje për klubin dhe duke e
fituar La Ligën, Ligën e Evropës, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Spanjës.

Megjithatë, ai e nisi keq karrierën në
Barcelonë, sepse, bashkë me Aleix Vidal, i cili iu bashkua Barçës atë verë po
ashtu, nuk kishin të drejtë të luanin për katalonasit deri në janar të vitit 206
për shkak të një dënimi që FIFA ia kishte shqiptuar klubit.

Në fund, koha e Turanit në Camp Nou përfundoi
me vetëm 55 ndeshje dhe 15 gola dhe me ngrohje të bankës rezervë.

Kur Ernesto Valverde e zëvendësoi Luis
Enriquen në postin e trajnerit në verën e vitit 2017, Turanit iu bë e qartë se
ai nuk ishte pjesë e planeve të klubit.

33-vjeçari nuk luajti për ekipin e Valverdes,
pasi ndeshja e tij e fundit në fanellën e Barcelonës ishte më 26 prill 2017 në
fitoren 7:1 kundër Osasunas, sa ishte Enrique ende trajner.

Turan u largua nga Camp Nou në janar të vitit
2018 dhe iu bashkua Istanbul Basaksehir duke nënshkruar kontratë dyvjeçare e
gjysmë.

Ai luajti në Superligën turke deri në janar të
këtij viti, kur Basaksehir vendosi t’ia ndërpresë para kohe kontratën e
huazimit. Ai i kishte shënuar 2 gola në 30 ndeshje për ekipin nga kryeqyteti
turk.

Gjatë kohës në atdhe, Turan i përjetoi disa
momente të vështira, si dënimi me dy vjet e tetë muaj burgim për shkrepje të
armës në spital dhe gjoba në vlerë 370.000 euro për përleshje në kafene.

Tani, pesë vjet pas kalimit të bujshëm në Camp
Nou, lidhja e Arda Turan me Barcelonën mbaron zyrtarisht. /Gazeta Express/