Rishikimi i buxhetit – u tha se do të miratohet këtë javë, ende nuk dihet se kur do të shkojë në Kuvend.

Më 67 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.

Mos rishikimi i buxhetit, sipas Qeverisë, po e mbante peng ekzekutimin pagesave të Pakos Emergjente Fiskale për punëtorët, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe masat e tjera të ndara për pandeminë COVID-19, shkruan Telegrafi.

Menjëherë pas miratimit të parë, Ministria e Financave ka kërkuar që Projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.

Po ashtu, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti javën e kaluar kishte thënë se shpreson se do të kalojë buxheti në lexim të dytë.

“Rishikimi i buxhetit ka kaluar në lexim të parë, ka kaluar me sa e di edhe në komisione janë shqyrtuar amendamentet e ndryshme. Unë pres që të hënën ose të martën të finalizohet dhe besoj që gjatë javës së ardhshme duhet të hyjë në seancë për lexim të dytë dhe të përmbyllet. Krahas kësaj e kemi dërguar në Kuvend edhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet ndryshimi i shtatë-tetë ligjeve të ndryshme në nene të caktuara, për të bërë të mundurën zbatimin për pako të rimëkëmbjes ekonomike”, kishte theksuar Hoti.

Lidhur me këtë, brenda kësaj jave ishte paraparë që të procedohet në Kuvendin e Kosovës miratimi i këtij Ligji, por që deri më sot nuk ka njoftim se do të ndodh.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati për Telegrafin tha se, procesi i plotësimit të Projektligjit ka përfunduar.

“Po ka përfunduar dje procesi. Komisioni për Komunitete të hënën kanë dështuar të mblidhen për shkak të kuorumit, mirëpo dje na e kanë dërguar letrën me rekomandime që nuk kanë vërejtje”, tha Murati.

Ai njofton se, raporti do t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit.

“Kështu që edhe Komisioni për Buxhet dhe Transfere pasi ka pranuar rekomandimet nga te tria komisionet e përhershme, ka mbajtur mbledhjen dhe ka miratuar raportin përfundimtar me amendamente, i cili i dërgohet Kryesisë së Kuvendit”, njofton ai.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.