Janë akorduar edhe 900 milionë lekë fond shtesë për bonusin e qirave për të prekurit nga tërmeti i muajit nëntor.

Pra, në ndryshimet e buxhetit të vitit 2020, qeveria ka miratuar një fond shtesë prej 900 milionë lekë për bonusin e qirave për familjet të cilat u prekën nga tërmeti i rëndë të 26 nëntorit të vitit që lamë pas.

Këtë gjë e bëri të ditur Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. “Ecim paralelisht me investimet për qytetarët në procesin e rindërtimit, ku asnjë familje e prekur nuk do të mbetet pas”, deklaroi Denaj.

Sakaq, sipas raportit të publikuar nga qeveria në fillim të muajit shkurt, shumica e dëmit është regjistruar në sektorin e strehimit, e ndjekur nga sektori prodhues dhe sektori i edukimit.

Kujtojmë që më 17 shkurt në Bruksel u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve nga Bashkimi Europian në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Një shumë prej 1.15 miliardë euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua në përfundim të Konferencës.