“Rivaliteti mes Ballkanit dhe Dritës do të rritet, skuadrat do të luftojnë për titull – synojmë fitoren”


Futboll


Gazeta Express

18/10/2020 18:23

Ballkani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri në elitën e futbollit kosovar, ku vetëm pas gjashtë ndeshjeve, skuadra nga Theranda ka regjistruar pesë fitore dhe ka vetëm një barazim.

Skuadra që drejtohet nga Ismet Munishi e ka “blinduar” pozitën e parë në tabelë me 16 pikë të tubuara, gjashtë më shumë se përcjellësi më i afërt, Drita e Gjilanit, e cila ka dhjetë pikë dhe renditet në vendin e dytë në tabelë.

Në xhiron e ardhshme në Superligën e Kosovës, Ballkani është nikoqir i kampiones së Kosovës, Dritës në një përballje të “nxehtë” në Suharekë.

Mbrojtësi i Ballkanit, Arbër Prekazi në një intervistë për Zerin, ka thënë se skuadra e tij është duke e analizuar me kujdes skuadrën gjilanase para derbit të mesjavës.

“Çdo ndeshje dhe çdo kundërshtarë i ka specifikat e veta, ndeshje pas ndeshje po përgatitemi në varësi të kundërshtarëve”, ka thënë fillimisht mbrojtësi me përvojë të madhe në futbollin kosovar, duke vazhduar:

“Në këtë rast, edhe Drita i ka pikat e saj të forta, ku edhe po punojmë që të kemi shumë kujdes dhe të shfrytëzojmë anën tonë të fortë për këtë ndeshje”, tregon më tej ish-mbrojtësi i Feronikelit.

Ai është optimist se skuadra e tij do të dalë fitimtare nga kjo ndeshje.

“Me angazhim të pa kompromis dhe lojë të bukur, shpresoj se do të dalim fitimtarë edhe nga kjo ndeshje”, potencoi Arbër Prekazi.

Për fund, Prekazi ka folur për rivalitetin e madh të Ballkanit dhe Dritës, i cili ishte në kulminacionin e saj, sidomos në edicionin që lamë pas.

“Ballkani dhe Drita do të jenë rival për shumë vite pasi të dyja skuadrat kanë lojtarë dhe organizim shumë të mirë brenda klubit. Gjithashtu rivaliteti në mes të skuadrave që luftojnë për titull vetëm do të rritet dhe kjo do ta ngrisë futbollin e Kosovës, si për nga cilësia, ashtu edhe me shikueshmëri”, përfundoi Arbër Prekazi.

Ndryshe, ndeshja mes Ballkanit dhe Dritës do të zhvillohet të mërkuren (21 tetor) në Therandë me fillim nga ora 14:00.