Ikja e punëtorëve ka qenë një nga sfidat me të cilat viteve të fundit janë përballur bizneset vendore.


Kjo është vërtetuar edhe nga një analizë e UNDP-së që thotë se rreth 50% e bizneseve, nga 201 sosh të anketuara, janë përballur me ikjen e punëtorëve gjatë viteve të fundit.


Kjo e dhënë ka dalë nga analiza e Pulsit Publik “Korrelacioni midis Tregut të Punës në Kosovë dhe Emigrimit” e zhvilluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), raport i cili do të publikohet i plotë gjatë ditës së sotme.


Analiza e Pulsit Publik u realizua me një anketë sasiore përfaqësuese me 201 biznese (prej 12 mars deri më 2 prill), dhe 17 intervista gjysmë të strukturuara me përfaqësues të disa institucioneve dhe organizatave në Kosovë (6 – 28 prill), ndërsa theksohet se ky publikim i Analizës së Pulsit Publik eksploron lidhjen midis tregut të punës në Kosovë dhe emigracionit.


“Pothuajse gjysma e të gjitha kompanive të anketuara janë përballur me emigrimin e punonjësve të tyre në tre vitet e fundit (49%)”, thuhet në një nga gjetjet e kësaj analize, ndërsa theksohet se rreth 41% e të bizneseve të anketuara deklaruan se kompanitë e tyre nuk u përpoqën t’i bindnin punonjësit nëpërmjet benefiteve shtesë, kur këta të fundit kanë vendosur të emigrojnë në një vend tjetër, raporton Zeri.info.


Gjetje tjetër e kësaj analize është se shumica e kompanive të anketuara kanë thënë se ua paguajnë kontributet pensionale të gjithë punonjës të tyre me 5% të pagës së tyre bruto, në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (81%).


“Sektori i bujqësisë u dallua me 27%, të cilët deklaruan se kompania e tyre nuk i paguan kontributet pensionale. Ndërsa niveli i përgjithshëm i kompanive që nuk paguajnë këto kontribute është 13%”, theksohet në raport.


Ndërkaq, metodat joformale të reklamimit të vendit të punës janë ende të zakonshme në Kosovë.


“Rreth 44% të të gjitha kompanive të intervistuara deklaruan se mënyra kryesore e shpërndarjes së informacionit për vendet e lira të punës është përmes miqve dhe duke e përcjellë gojarisht, ndërsa 39% përdorin mediat sociale. Vetëm disa kompani përdorin platformat online për punësim (12%) ose agjencitë e punësimit (2%) si mënyrën kryesore për reklamim”, thotë Pulsi Publik i UNDP-së.


Përvoja dhe aftësitë e punës janë dy faktorët më të rëndësishëm dhe aspektet më sfiduese gjatë punësimit të stafit të ri, sipas këtij raporti.


“Gati dy në tre kompani kanë punësuar punonjës më pak të kualifikuar (63%) ose kanë caktuar detyra shtesë për stafin aktual (19%) kur nuk kanë gjetur punonjës të rinj me kualifikime të dëshiruara”, potencohet në raport.


Ndërsa si gjetje tjetër është se shkathtësitë gjuhësore, analitike dhe teknike – janë tri aftësitë kryesore që u perceptuan nga kompanitë si më të vështirat për t’i gjetur në Kosovë.