Sarri beson se frika do t’i ndihmojë Juventusit kundër Lyonit


Futboll


Gazeta Express

02/08/2020 10:55

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, e ka pranuar se skuadra e tij do ta ketë të vështirë ta përmbysë Lyonin në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, por beson se frika nga dështimi do t’i bëjë mirë djelmoshave të tij.

Juventus e mbylli kampionatin me një humbje
kundër Romës, por e festoi gjithsesi titullin e nëntë radhazi në Serinë A, transmeton
Gazeta Express..

Juve do të përballet me Lyonin pas një jave në
ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Champions në Allianz Stadium. Ndeshja e
parë në Francë u mbyll me fitoren e Lyonit 1:0.

“Jam befasuar nga forma e mirë e Lyonit. Nuk
dukej si një skuadër që  nuk luante prej
shumë kohësh”, ka thënë trajneri i bardhezinjve.

“Besoj se në aspektin fizik kemi rezistuar
mirë. Mendoj se në këto ditë e kemi menaxhuar mirë veten. Energjitë mendore
janë më të vështira për t’u rikuperuar”, tha Sarri.

“Pak frikë mund të na bëjë mirë. Pas fitores
me Lazion, në mënyrë të pavetëdijshme, kemi menduar se e kishim siguruar
titullin”.

“E dimë se do të jetë e vështirë ta nisim nga
humbja 1:0 e pësuar në ndeshjen e parë kundër Lyonit, por besoj se pak frikë do
të na bëjë mirë”, shtoi ai.