Serie A buzë kolapsit, paralajmëron shefi i ligës italiane


Futboll


Gazeta Express

27/10/2020 9:16

Presidenti i Serie A, Paolo Dal Pino, e ka paralajmëruar qeverinë e Italisë se futbolli italian është buzë kolapsit, për shkak se tifozët nuk do të lejohen nëpër stadiume përsëri, pas kufizimeve të reja të koronavirusit.

Deri në 1.000 tifozë u lejuan ta përcjellin ndeshjen nga
stadiumet e Serie A në javët e fundit, që prej se kufizimet u lehtësuan në
shtator, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pas rritjes së rasteve me Covid-19, presidenti i
Italisë Giuseppe Conte ka vendosur kufizime më të ashpra në përpjekje për ta
parandaluar përhapjen e pandemisë.

Kafenetë dhe restorantet detyrohen të mbyllen në orën 18:00 çdo
mbrëmje, derisa qendrat sportive dhe palestrat ngelin të mbyllura deri më 24 nëntor.

Sporti profesionist është lejuar të vazhdojë por duhet
patjetër të zhvillohet pa praninë e tifozëve në stadiume, që nënkupton se
ndeshja e Serie A mes Milanit dhe Romës të hënën mbrëma u zhvilluar në stadium
të zbrazët.

Edhe ndeshja e Ligës së Kampionëve mes Juventusit dhe
Barcelonës në Torino do të luhet pa tifozë.

Dal Pino thotë se e kupton nevojën për ta ruajtur shëndetin e
publikut, por e ka vënë në pikëpyetje ashpërsinë e kufizimeve dhe pyet veten nëse
qeverisë i bën për dëmin që po ia shkakton industrisë së futbollit.

“Shpresoj se qeveria e kupton vlerën e futbollit si një
industri, përtej çfarëdo demagogjie të cekët”, tha Pino.

“Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse jemi buzë kolapsit dhe
kam frikë se ekonomia e vendit do ta paguajë shtrenjtë çdo kufizim të ashpër që
është vendosur. Shëndeti është parësor, por më rëndësi është të bëhen gjërat e
drejta. Efektet anësore të kufizimeve të fundit i prekin shumë sektorë, përfshirë
tonin, sepse ne i kemi humbur 600 milionë euro më 2020 nga mbyllja e stadiumeve”,
tregoi ai. /Gazeta Express/