Është nënshkruar marrëveshja për zhvillimin dhe zbatimin e projektit për “Mbështetjen e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla drejt menaxhimit financiar”, nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH).


Përmes një komunikate për media nga SHKÇAK-ja thonë se thelbësor është fillimi i procesit të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë ndaj kërkohet sigurim dhe mbështetje ndaj ndërmarrjeve, përcjell “Zeri.info”.


“Kosova nuk është i vetmi vend që po kalon një krizë ekonomike të ndikuar nga pandemia COVID-19, kjo situatë është e pranishme në të gjithë botën. Në veçanti, kjo krizë ka prekur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM), të cilat janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha. Në këtë kohë, është thelbësore që të fillojë procesi i rimëkëmbjes së ekonomisë të vendit, i cili kërkon edhe sigurimin e një mbështetje intensive për krijimin e kapaciteteve, forcimin e ndërmarrjeve dhe gjithashtu ndihmën financiare ndaj këtyre ndërmarrjeve”, thuhet në komunikatë.


Sipas komunikatës, përmes projektit që do të implementohet nga SHKÇAK-ja dhe i cili është i mbështetur nga BERZH-i, përmes financimit të Qeverisë së Luksemburgut, do të ndihmohen kategoritë e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, në ngritjen e kapaciteteve të tyre për të kuptuar strukturën financiare të ndërmarrjes, duke hartuar plane për të zbutur ndikimin ekonomik financiar, si dhe të gjejnë mënyra për të zgjidhur problemet dhe vështirësitë financiare me të cilat këto ndërmarrje ballafaqohen.


Ky projekt parasheh krijimin e një modeli financiar të thjeshtëzuar dhe manualit përkatës i cili do të mbetet brenda ndërmarrjeve dhe do të ju shërbej si vegël për parashikimin e rrjedhës së parasë, performancën, pozitën dhe analizën financiare si dhe raportimin për këto ndërmarrje. Përfaqësuesit e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla do të kenë mundësinë që si pjesë e këtij projekti të ndjekin uebinaret online për t’u trajnuar rreth përdorimit të modelit financiar dhe manualit përkatës drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të ndërmarrjeve të tyre.