Manchester City u dënua të premten me 30 milionë euro gjobë dhe përjashtim nga Liga e  Kampionëve për dy sezonet e ardhshme, shkaku i shkeljes së rregullave për ndershmëri financiare të UEFA-s (FFP). UEFA i kishte nisur hetimet pasi gazeta gjermane Der Spiegel i kishte zbuluar mënyrat e parregullta të financimit të Manchester Cityt, falë të dhënave nga Football Leaks. Artikullin e Der Spiegel, që çoi deri te ky dënim i Manchester Cityt, mund ta lexoni në vijim.

Edhe nëse kthehemi prapa në kohë deri në vitin
1880, kur Anna Connell e themeloi klubin e Manchester Cityt për t’i mbajtur
qytetarët e papunësuar larg alkoolit, familja Al Nahyan ishte duke e qeverisur
Abu Dhabin. Për këtë familje, ideja e një klubi të futbollit ishte po aq e
çuditshme sa shkretëtira për qytetarët e Mançesterit. Por, 128 vite më vonë, në
shtator të vitit 2008, Manchester City dhe familja Al Nahyan u bashkuan, dhe
pasojat e këtij bashkimi kanë qenë mjaft dramatike, transmeton Gazeta Express.

Ish-klubi mediokër nga pjesa lindore e
Mançesterit është tani klubi më i mirë në Premierligë, si rrjedhojë e
sponsorizimit të jashtëzakonshëm të Abu Dhabit. Që nga ardhja e sheikut,
Manchester City ka arritur t’i mashtrojë të tjerët në rrugën për t’u bërë një
ndër klubet më të mëdha në futbollin evropian. Lavdia e re e këtij klubi është
e rrënjosur në gënjeshtra.

“Aguuueeeroooooo!” Një emër, një britmë e
zhurmshme. Çdo tifoz i Manchester Cityt e njeh këtë britmë të Martin Tylerit më
13 maj të vitit 2012. Ata e dinë se ku ishin në atë moment, 93 minuta dhe 20
sekonda pasi kishte filluar ndeshja e fundit e sezonit. Manchester Cityt i
nevojitej një fitore për ta fituar Premierligën për herë të parë në 44 vite dhe
e arritën këtë gjë.

Për tifozët e Manchester Cityt, titulli i
Premierligës ishte një mrekulli, por për kritikët e klubit për këtë gjë ishte
nevojitur vetëm kalimi i kohës. Kritikët ishin në dijeni se investimi i Mansour
bin Zayed Al Nahyanit në klubin anglez i kishte shtrembëruar principet e
konkurrencës. Kontratat e sponsorizimit janë aty vetëm për t’i maskuar paratë e
Abu Dhabit në klub, akuzë kjo që klubi e ka mohuar vazhdimisht.

Manchester City luan në stadiumin Etihad dhe
fanellat e klubit janë të sponsorizuara nga Etihadi. Kjo kompani e aeroplanëve,
nga Abu Dhabi, drejtohet nga gjysmë-vëllai i Mansourit. Kompania Etisalat dhe
ministria e turizmit nga Abu Dhabit gjithashtu janë sponsorë të klubit. Për më
tepër, edhe kompania e investimeve nga Abu Dhabi, Aabar, i sjell miliona euro
në vit klubit anglez.

Mancini ia solli titullin e parë të
Premierligës, mirëpo ai u bë shumë shpejt viktimë e ambicies së shefit të tij.
Vetëm një vit pas këtij triumfi, ai u shkarkua pasi që nuk arriti ta përsërisë
suksesin. Logjika e pronarit është: Nëse nuk punon, duhet të zëvendësohet. Por,
vetëm disa javë pasi Mancini u shkarkua, UEFA doli me rregulla të reja për
transferimet. Rregullat e reja, Financial Fair Play (FFP), specifikonin se
klubet nuk mund të shpenzojnë më shumë para sesa që fitojnë.

Manchester City ishte në rrezik pasi që ata e
bënin pikërisht këtë gjë, investonin më shumë sesa fitonin. “Ne jemi në deficit
për 9.9 milionë euro pas shkarkimit të Mancinit. E vetmja zgjidhje është nëse i
rrisim përfitimet nga sponsorët nga Abu Dhabi”. Në këtë mesazh, menaxheri i
Cityt e zbuloi se klubi i tij bën biznes më ndryshe se klubet e tjera.

Zakonisht, klubet e tjera veprojnë kështu:
futbollistët arrijnë të sigurojnë fitore, ata ngrehin një audiencë më të gjerë,
ndeshjet e klubit transmetohen në televizione dhe sponsorët e mundshëm
interesohen. Këta sponsorë nënshkruajnë kontrata për ta paguar një shumë të
caktuar parash për ta reklamuar kompaninë me klubin. Këto para bëhen pjesë e
buxhetit të klubit dhe me to paguhen lojtarët, agjentët dhe gjëra të tjera. Kur
klubi nuk e bën planifikimin siç duhet, ose shpenzon më shumë për planin e
biznesit, klubi deklaron humbje në fund të vitit dhe duhet t’i ulë shpenzimet.

Por, Manchester City nuk shpenzon si klubet
normale. Humbje dhe kredi? Nuk ka rëndësi. Nëse klubi është në humbje, atëherë
vendlindja e pronarit dërgon më shumë para në klub. Dënimet janë vetëm për ata
që zihen duke mashtruar. Për t’iu ikur dënimeve nga UEFA, menaxheri i
Manchester Cityt, Simon Pearce, propozoi: “Ne mund ta bëjmë një marrëveshje që
kinse e kemi nënshkruar në të kaluarën, dhe mund të shtojmë para”. Ndërsa,
drejtori ekzekutiv, Ferran Soriano, sugjeroi që sponsorët të paguanin para
shtesë për triumfin në FA Cup, ndeshje kjo të cilën Manchester City e kishte
humbur.

Dhjetë ditë pas përfundimit të sezonit,
zyrtari për financa në klubin anglez, Jorge Chumillas, e prezantoi planin e
tij. Etihadi duhet të paguante 1.8 milionë euro më shumë, Aabar 0.8 milionë,
ndërsa ministria e turizimit 6 milionë më shumë. Të gjitha këto para u shtuan
për t’i mbuluar humbjet në fund të vitit në mënyrë që të mos dënohen nga UEFA.

Klubi dhe sponsorët ishin duke i manipuluar
kontratat. Kur Chumillas e kishte pyetur kolegun e tij, Simon Pearce, nëse mund
ta ndryshojnë datën e pagesës nga sponsorët e Abu Dhabit, Pearce i ishte përgjigjur:
“Natyrisht, ne mund të bëjmë çfarë të duam”.

Raportet financiare të Manchester Cityt ishin
si një rrjetë merimange e përbërë nga gënjeshtrat, klubi i shkeli të gjitha
rregullat e FFP-së. Simon Pearce kishte thënë në dhjetor të vitit 2013 se nga
Etihadi ata i fitojnë vetëm 8 milionë euro në vit, por kontributi i vërtetë i
kësaj kompanie ishte 38 milionë euro.

Ky tekst është pjesë e serisë prej katër
artikujve të gazetës gjermane Der Spiegel për manipulimet që i ka bërë viteve
të fundit Manchester City. Informatat dhe dokumentet e përdorura për t’i
dëshmuar këto pretendime janë siguruar nga Football Leaks, pasi hakerët e
sulmuan FIFA-n. Artikullin e plotë  të
Der Spiegel mund ta lexoni këtu. /Gazeta Express/