Smalling nuk pendohet që u largua nga Unitedi: E doja këtë sfidë


Sport


Gazeta Express

23/05/2020 18:33

Chris Smalling ka thënë se ai nuk pendohet aspak që e ka lënë zonën e tij të rehatisë në Manchester United dhe ka shkuar në Romë, pasi që 30-vjeçari thotë se ai e donte një sfidë të tillë.

Gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2019,
qendërmbrojtësi anglez Chris Smalling vendosi ta kalojë sezonin 2019/20 larg
Manchester Unitedit, pasi që u transferua në formë huazimi për një sezon në Romë,
transmeton Gazeta Express.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer kishte dashur ta
mbante atë në skuadër për shkak të përvojës së tij të gjatë me Djajtë e Kuq, mirëpo
Smalling veçse e kishte humbur vendin në formacionin e parë në Old Trafford,
pasi që pozitat në qendër të mbrojtjes tani i besohen Harry Maguiret dhe Victor
Lindelofit.

Smalling mund të kishte pranuar të luante për pak
minuta këtë sezon, pasi që ka qenë pjesë e Djajve të Kuq që nga viti 2010 dhe i
ka bërë 323 paraqitje, mirëpo ai preferoi ta sfidojë veten diku tjetër dhe
vendosi të transferohet në Romë.

“Disa lojtarë anglezë kanë shkuar jashtë
vendit, mirëpo jo shumë. Kjo ishte një sfidë që doja ta provoja. Unë jam lloji
i personit që jeton pa u penduar për gjërat që i ka bërë”, ka thënë Smalling.

“Mua më pëlqen gjërat e reja, që ndoshta janë
jashtë zonës sime të rehatisë dhe dua t’u tregoj njerëzve që gjithçka është e
mundur”.

Smalling i ka bërë 28 paraqitje gjatë këtij sezoni
për Romën, përderisa gjiganti italian dëshiron ta blejë atë këtë verë. /Gazeta
Express/