Raheem Sterling beson se paraqitja e tij në fitoren e Anglisë kundër Kosovës të martën ishte më e mira që ai e ka bërë deri tani në fanellën e “Tre luanëve”.

Anësori i Manchester City Sterling i ndihmoi
Anglisë ta fitojë 5:3 trillerin kualifikues për Euro 2020 ndaj një Kosove
guximtare në Southampton, duke ia ndërprerë ecurinë gati dyvjeçare pa humbje
kombëtares verdhekaltër, shkruan Gazeta Express.

Sterling bëri një paraqitje brilante – dhe me
të drejtë u shpall lojtari i ndeshjes – duke shënuar një gol dhe krijuar tri
gola të tjera. Anglia, si rrjedhojë, e ruajti rekordin pa humbje që prej vitit
2009 në ndeshje kualifikuese për Euro apo Botëror.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e
Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes,
ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e
Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi.

I pyetur pas ndeshjes në St Mary’s Stadium për
lojën që zhvilloi në aspektin individual, 24-vjeçari tha se kjo ishte paraqitja
më e mirë e tij për Anglinë.

“Ishte paraqitja ime më e mirë në pjesën e parë.
Ne ishim të pamëshirshëm por në këtë nivel, ne duhej ta mbyllnim këtë takim”,
tha Sterling.

“Në turnet e mëdhenj, nuk guxojmë t’iu japim
asnjë mundësi kundërshtarëve. Ne duhet ta bëjmë kundërshtarin t’i meritojë
golat që i shënon dhe t’i ndërpresim gabimet e kota”, shtoi ai. /Gazeta Express/