Bitcoin qysh në fillim të vitit 2021 ka filluar me rekorde të reja, ku për herë të parë ka prekur vlerën prej mw shumë se 36 mijë dollarë.

Sipas CoinMarketCap, përcjell Telegrafi, vlera aktuale e kësaj kriptovalute është 36,328.70 dollarë.

Nga të dhënat, brenda 24-orëve vlera e tij është rritur me rreth 20 për qind, kurse brenda një jave është rreth 30 për qind.

Kjo kriptovalutë është katërfishuar në vlerë gjatë pandemisë COVID-19.

Vlera e Bitcoin u ngrit 300 për qind në vitin 2020 dhe vetëm në muajin e kaluar ajo u rrit 50 për qind.

Vlera aktuale e kriptovalutës Bitcoin | Burimi: CoinMarketCap

Thyerja e rekordeve të kësaj kriptovalute, po drejtohet pjesërisht nga hyrja e investitorëve më të mëdhenj në treg.

Vitin e kaluar, ringjallja e çmimit të Bitcoinit është ushqyer pjesërisht nga miliarderë të njohur të Wall Streetit që e mbështetën publikisht kriptovalutën.

Kompanitë e mëdha financiare si PayPal dhe Fidelity gjithashtu kanë bërë lëvizje në kriptovalutë, ndërsa të ngjashëm me Square dhe MicroStrategy kanë përdorur bilancet e tyre për të blerë Bitcoin.

Aktualisht vlera e tregut e kësaj valute është mbi 970 miliardë dollarë, ku përbën rreth 70 për qind të tregut të këtyre valutave.