Bordi i Telekomit të Kosovës është deklaruar për zhbllokimin e llogarive të kësaj ndërmarrjeje publike, llogari këto që paraprakisht ishin bllokuar për shkak të kontestit me Dardafone.

Me anë të një komunikate për media, Bordi ka bërë të ditur se është arritur pajtim që përmbarimi të pezullohet për një afat të pacaktuar, shkruan lajmi.net.

Marrëveshja është arritur edhe me kreditorët dhe përmbaruesin privat, teksa më ATK-në janë arritur marrëveshje për modalitetet në ristrukturimin e borxheve tjera.

“Kështu, në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arritën marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare. Me Administraten Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plotë:

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, i emëruar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, siguron për përkushtimin e vet, të punojë pa paragjykime dhe me durim, me të gjitha palët në këtë proces, pra Telekomin e Kosovës dhe me kreditorët e shumtë të cilët kanë interes që kompania të konsolidohet plotësisht. Në këtë proces Bordi është i fuqizuar me përkrahjen e pakursyer të aksionarit, pra Ministrisë së linjës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Bordi i ri Menaxhues me të marrë detyrën ka pranuar informatat e përgjithshme nga Menaxhmenti i Telekomit, ka analizuar situatën emergjente financiare, operative të korporatës dhe menjëherë si mase emergjente ka takuar kreditoret më të mëdhenj dhe përmbaruesin, duke kërkuar nga kreditorët mirëkuptim për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht Telekomi i Kosovës.

Bordi i perkohshme i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pa caktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike.

Kështu, në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arritën marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare. Me Administraten Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare.

Bordi i përkohshëm i Drejtorëve, i falënderon të gjitha palët në proces, e sidomos Qeverinë dhe Ministrinë e linjës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për përkushtimin që të mbështes Telekomin e Kosovës por edhe të njoh dhe mbrojë edhe interesat e kreditorëve të kësaj kompanie publike, të cilët duke treguar mirëkuptim, po bëhen pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit.