Sot bëhen 17 vjet kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni që po bënin në Shqipëri, ndërsa 34 tjerë u lënduan.

Autobusi që po barte 15 maturantët ishte rrokullisur dhe kishte rënë në humnerë. Aksidenti u shënua rreth orës 14:00 të datës 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Pukës.

Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.

Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.

Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.

Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.