Në intervistën e tij të gjatë me gazetarin Piers Morgan, Cristiano Ronaldos iu desh të kundërshtonte edhe gjeneratat e reja në futboll: “Nuk është se iu mungon respekti për kolegët më me përvojë, por jetojnë në një epokë tjetër dhe nuk kanë të njëjtin mentalitet si ne. Pse ndodh kjo? Ngaqë ata i marrin gjërat më lehtë dhe nuk vuajnë, kështu që nuk kanë të njëjtën uri. Kjo nuk ndodh vetëm me të rinjtë te Manchester United”.

Këtyre deklaratave të yllit portugez iu përgjigj një bashkëlojtar i CR7, Anthony Elanga, i cili së fundi mbushi 20 vjeç: “Mendoj se Cristiano iu referohet të rinjve në përgjithësi. Personalisht jam gjithmonë 100% i fokusuar në atë që po bëj dhe të gjithë të rinjtë e Manchester United përpiqen të dëgjojnë ata më me përvojë. Cristiano më ka ndihmuar brenda dhe jashtë fushës. Ai është frymëzim për mua dhe gjithë të rinjtë e Manchester United. Për mua është ende Cristiano Ronaldo, asgjë nuk ka ndryshuar”.

Anthony Elanga e ka thënë hapur se dëshiron të ndjekë si model Cristiano Ronaldon në futboll. Sulmuesi i ri suedez tha për faqen e internetit të Manchester United: “Është vërtet mirë ta kesh atë si shok skuadre dhe mentor. Unë shkoj të stërvitem shumë herët dhe ai tashmë është atje.

Një ditë pas ndeshjes ne gjithmonë flasim. Ai është një person vërtet i mirë jo vetëm për çfarë bën në fushë, por edhe atë që ofron jashtë saj. Nëse ne lojtarët më të rinj kemi nevojë për ndihmë, mund të flasim me të. Ai është një person vërtet i mirë, ndihmon këdo që ia kërkon”.