Në Kuvendin e Komunë së Podujevës sot është mbajtur seancë solemne me rastin e 23-vjetorit të Ditës së Çlirimit, shkruan .

Në këtë seancë kanë marrë pjesë përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta, Fahri Balaj dhe përfaqësuesi nga Komuna e Velbertit, Burghard Fulling. Pjesë e kësaj seance ka qenë edhe ish-kryetari i Podujevës për disa mandate, Agim Veliu.

Para të pranishmeve, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se 19 qershori, sipas tij, shënon datën e fundit, nga kalendari i ditëve të çlirimit nëpër komunat e Kosovës.

“Podujeva frymoi kombëtarisht në çdo periudhë kohore. Llapi dhe Gollaku ishin në ballë të rezistencës me bacën Adem Demaçi dhe mësuesin Shaban Shala, ishin në ballë të rezistencës me Xheladin Rekaliun në demonstratat për flamur të vitit 1968. Ishin në ballë të demonstratave të vitit 1981 e 1989 me Aliun, Afrimin e Fahriun. Ishin në ballë të organizimit të jetës paralele me presidentin Rugova. Ishin në ballë të luftës së UÇK-së, me Zahirin, Hakifin, Bahriun, Ilirin, Agronin, me qindra dëshmorë e mijëra ushtarë””, ka shtuar ai.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit Hilmi Hoxha në fjalën e tij tha “Kjo datë na përkujton përpkjekjet dhe sakrificat e shumë brezave për liri dhe sot jemi mbledhur këtu për t’i përkujtuar dhe nderuar ata që luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë̈ e vendit”.

Në fjalën e mbajtur përfaqësuesi i OVL-UÇK, Fahri Balaj tha “19 Qershori është data më e rëndësishme historike për Llapin. Në këtë ditë përfundimisht Podujeva u lirua nga okupatori dhe përpjekja e vetmohimi i shumë gjeneratave kulmoi me lirinë e atdheut”.

Në seancen solemne një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i CDU-së në Velbert, Burghard Fulling i cili tha se është i lidhur emocionalisht me fatin e Podujevës dhe Kosovës dhe ndjehet jashtëzakonisht falënderues institucioneve të komunës për pritjen dhe mundësinë për t’ju uruar të gjithë llapjanëve ditën e çlirimit.

Pas seances u mbajtën homazhe dhe u vendosën lule të freskëta te shtatorja “Ali Ajeti”, shtatoret “Katër Dëshmorët” dhe varrezat e dëshmorëve në Penuhë./