Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Selim Pacolli ka kritikuar sot disa media se kanë anashkaluar kandidatin e tyre për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, teksa paralajmëroi se lidhur me këtë do të paraqesin ankesë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionit të Pavarur për Media.

Pacolli në një konferencë për media tha se mos përfshirja në sondazhe e një kandidati të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqet shkelje ligjore.

Sipas tij, disa media kanë publikuar edhe sondazhe të rreme dhe kanë blerë shikime nga vendet aziatike, taktikë kjo sipas tij, e përhapur për veprimtari dezinformomi dhe dëmtimi.

“Nga një monitorim pothuajse 1-mujor i shtabit zgjedhor të AKR-së për kandidatin e komunës së Prishtinës, është vërejtur se disa media, të cilat bëjnë matjen e opinionit bëjnë shkelje të ligjeve mediale me apo pa vetëdije duke anashkaluar njërin nga kandidatët për kryetar të komunës së Prishtinës, gjegjësisht Gëzim Mehmeti, kandidat i AKR-së… E kanë përdorur audiencën për të krijuar sondazhe të rreme edhe në koordinim me palë të tjera që kanë prekur standardin ‘sjellje e koordinuar jo-autentike’”, tha ai.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti tha se pasi që gara është për kryeqytet atëherë edhe sondazhet duhet të bëhen në Prishtinë.

“Organet kompetente duhet menjëherë të reagojnë, sepse kemi shkelje të demokracisë dhe ndikim në rezultatin zgjedhor… Ne do t’i drejtohemi edhe Këshillit të Pavarur të Mediave, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organeve tjera kompetente të Kosovës. Një çështje tjetër, të cilën unë do të bëjë apel ka të bëjë me ballafaqimin e kandidatëve të Prishtinës. Në rast se i ikin ballafaqimit, atëherë po fshehin diçka dhe nuk po respektojmë qytetarin e Prishtinës. I lus të gjithë kandidatët që të ballafaqohemi, t’i shpalosim programet tona, vizionin tonë për qytetin e Prishtinës”, tha Mehmeti.

Edhe Blerim Xheladini, ekspert i teknologjisë tha se disa media kanë shkelur standardin që është sjellje e përdorur autentike duke blerë ‘live views’. Ndërkohë që tha se kanë denoncuar rrjetin social Facebook.

“Ne kemi përgatitur edhe një denoncim për platformën Facebook, dhe kemi informuar edhe Zyrën e BE-së në Prishtinë, që merret me monitorimin e zgjedhjeve në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën… Matjet tona janë shumë herë më ndryshe sesa paraqiten në media të tilla duke keqpërdorur informacionet”, tha ai.