Alejandro Garnacho ka refuzuar të nënshkruajë një kontratë të re me Manchester United pas interesimit nga Real Madrid dhe Juventus, sipas The Sun.

Garnacho ka shijuar një sezon të ri në Old Trafford me dy gola dhe pesë asiste në 15 ndeshje të luajtura në të gjitha komepticionet. Sipas The Independent, talenti 18-vjeçar, i cili mendohet se paguhet 7,000 £ në javë, iu ofrua një marrëveshje e re nga United me vlerë 20,000 £ në javë.

Megjithatë, lojtari e refuzoi atë me përfaqësuesit e tij duke pretenduar se nuk është e mjaftueshme dhe nuk pasqyron statusin e tij në rritje në ekip. Argjentinasi i ri është bërë lojtar i rregullt i United nën drejtimin e Erik ten Hag, por është ende ndër lojtarët më pak të paguar të skuadrës.

Garnacho është i parafundit në faturën e pagave, me vetëm Anthony Elanga poshtë tij që fiton 5,500 £ në javë. Hannibal Mejbi, i cili është i huazuar te Birmingham, fiton pothuajse dyfish me një pagë javore prej 13,000 £.

Kjo ka bërë që Juventusi dhe Reali të ndjekin Garnacho, i cili ka 18 muaj të mbetur nga kontrata e tij aktuale me United dhe nuk ka marrë ende ndonjë ofertë konkrete nga skuadrat e ndryshme që e pëlqejnë.

Juventus po kërkon të rinovojë skuadrën në mes të një sezoni zhgënjyes që i ka parë ata të bien në vendin e tretë në renditjen e Serie A. Real-i, nga ana tjetër, dëshiron të ndërtojë një ekip të ri bazuar në gjeneratën e ardhshme të lojtarëve dhe e shikon atë si një përforcim interesant për t’u bashkuar me Vinicius Junior dhe Rodrigo përpara.

United ka marrë një qasje të matur kur bëhet fjalë për pagat e lojtarëve të rinj kohët e fundit. Gjigantët e Mançesterit duan të dërgojnë një mesazh se paratë do të vijnë nëse performancat e lojtarëve përmbushin standardet e kërkuara në mënyrë konsistente.

Megjithatë, Djajtë e Kuq kanë këmbëngulur se bisedimet kanë qenë “pozitive” me përfaqësuesit e Garnacho. Por vlera e sulmuesit është rritur në mënyrë dramatike, veçanërisht pas paraqitjes së tij mbresëlënëse kundër Manchester Cityt të shtunën. Adoleshenti hyri si zëvendësues në pjesën e dytë dhe dha asistin për golin fitues të Marcus Rashford, që vulosi një fitore të bujshme me përmbysje.