Sezoni ka përfunduar, por vetëm në futboll për Granit Xhakën dhe Arsenalin, të cilët në orët e fundit në Angli kanë përfunduar në qendër të një investigimi. Shkak është bërë mesfushori shqiptar, që mban shiritin e kapitenit të kombëtares së Zvicrës.

Sipas asaj që raportohet nga “Daily Mail”, lojtari është objekt i një hetimi të kryer nga Agjencia Kombëtare e Krimit, deleguar nga FA me dyshimin e një skandali të mundshëm bastesh të futbollit.

Gjithçka daton në 18 dhjetorin e kaluar, në ndeshjen e Premier League mes Leeds dhe Arsenal, që përfundoi 1-4 për “Topçinjtë”. Në minutën e 86-të, Xhaka ishte protagonist i një kartoni të verdhë për vonesat e lojës.

Dyshimet e FA, të shndërruara më pas në një hetim 6-mujor, sipas asaj që lexohet nga “Daily Mail”, do të niseshin nga një bast anormal prej 52 mijë paund i vendosur gjatë ndeshjes dhe që lidhej me një paralajmërim të mundshëm të shqiptaro-zviceranit (karton i verdhë), që mbërriti më vonë.

Kësaj i shtohet edhe raporti i bast-vënësve, të cilët informuan FA për një shumë të madhe parash të përfshira në këtë rast, me probabilitet më të lartë në 10 minutat e fundit të ndeshjes, që më pas e çuan bast-vënësin të fitonte më shumë se 250.000 paund.

Për momentin, FA është përmbajtur nga çdo koment, raporton “Daily Mail”, në pritje të lajmeve nga Agjencia Kombëtare e Krimit, që po punon për këtë çështje.