Sezoni i Antonio Contes në krye të Tottenhamit u bë edhe më i komplikuar pas eliminimit nga Champions League prej Milanit në 1/8 finale. “Spurs” janë jashtë të gjitha kupave dhe mbajnë vendin e katërt në Premier League aktualisht, pozicion i dobishëm për kualifikim në Ligën e Kampionëve të edicionit të ardhshëm.

Një vend i katërt për t’u mbrojtur me çdo kusht. Newcastle dhe Liverpool janë kundërshtarë të frikshëm nga tani deri në fund të kampionatit. Ndjenja është se marrëdhënia mes Tottenhamit dhe Conte ka arritur tashmë në minimum, me ish-trajnerin e Juventusit dhe Interit të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe me një dëshirë të madhe për t’u kthyer në Itali.

“Është më mirë për të gjithë nëse Conte largohet menjëherë”, – tha Chris Sutton në “BBC Radio 5 Live”. Ish-sulmuesi i Norwich (rekordmen për paraqitjet me “kanarinët” në kompeticionet evropiane, 6), Blackburn, me të cilin fitoi titullin kampion të Anglisë në vitin 1995 dhe Chelsea, ndër të tjera, sulmoi hapur Antonio Conte:

“Mendoj se ai do ta përfundojë sezonin te ‘Spurs’, por jam vërtet mosbesues me atë që po ndodh tani. Nëse Conte thotë se është i lumtur të nënshkruajë për një ose dy vite të tjera, atëherë Tottenhami mund të vazhdojë me të. Megjithatë, nuk mendoj se kjo është një ndjenjë e sinqertë. Pra, nëse Tottenhami dëshiron të përmirësohet, duhet të ndryshojë që tani. ‘Spurs’ janë më keq se sezonin e kaluar, nuk kanë qenë fare të qëndrueshëm”.

Sutton ishte i pranishëm në ndeshjen e Tottenham kundër Milanit në Champions League: “Isha në stadium javën e kaluar. Performanca e Tottenham ishte vërtet e mefshtë. Problemi më i madh mes tifozëve të Tottenhamit është se tani nuk e dinë se për çfarë po luajnë”.

Një tjetër ish-sulmues i Premier League, Darren Bent, tha fjalën e tij për situatën te Tottenham. Për të, rikthimi i Mauricio Pochettino në pankinën e ‘Spurs’ është më shumë se një mundësi. Dhe, në atë pikë, e ardhmja e Kane mund t’i përkasë akoma Tottenhamit: “Nëse Pochettino kthehet në drejtimin e Tottenham, unë me të vërtetë mendoj se Kane do të nënshkruajë një kontratë të re”.