Arsenal-i ka arritur marrëveshjen me Brighton-in dhe ka siguruar shërbimet e Leandro Trossard, sulmues krahu 28-vjeçar belg, i cili po shkëlqen në Premier League.

Sipas The Athletic, skuadra e De Zerbi-t do të përfitojë 31 milionë euro në total mes pjesës fikse dhe bonuseve. Kështu, Topçinjtë kanë gjetur alternativën e Mudryk, objektivi kryesor i Arteta-s që i është “vjedhur” nga Chelsea.

Lojtari do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare dhe mësohet se ka refuzuar dy klube për të nënshkruar me Arsenal-in. Operacioni është realizuar brenda 24 orëve pas kontaktit të parë mes palëve të zhvilluar të mërkurën.

Në këtë sezon, Trossard ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 3 asiste në 17 ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet me skuadrën e trajnerit De Zerbi.

Një përforcim i rëndësishëm për londinezët që po zhvillojnë gjithashtu një sezon të jashtëzakonshëm në kampionatin anglez, ku kryesojnë me 47 pikë, tetë më shumë se City i vendit të dytë.