Mediat britanike raportonin sot se dhjetra emigrantë ishin nisur nga Franca drejt Britanisë me barka të vogla madje dhe kanoe, para policëve francezë që nuk bënin asgjë për t’i ndaluar.

Mes tyre ishte një bebe e sapolindur qe u shpëtua nga roja bregdetare britanike, e cila i mbijetoi lundrimit prej nëntë orësh në ngushticën Pas de Calais.

Rrjeti Sky News kishte regjistruar beben e sapolindur Ayyan të mbështjellë me batanije, që i dorëzohej një oficeri të policisë në Kent.

Një prej emigrantëve të barkës tha se policia franceze i kishte parë kur ishin nisur por nuk i ndaluan.

Ndërsa nëna e bebes fatmirë Ayyan tha se ishte e lumtur që kishte mbërritur në Britani me beben e saj dyjavëshe.

Gazetari Ivor Bennett që u gjet shpejt pranë emigrantëve tha: “Ata ishin njëlloj të ezauruar nga lodhja, ashtu si dhe të lumturuar që arritën në Britani”.

“Pas nëntë orësh në det, lundrimi i tyre thuajse vrasës mori fund. Disa nga emigrantët dridheshin. Ata që flisnin anglisht thanë se janë nga Iraku e Irani. Disa nuk kishin pallto apo këpucë, disa ishin bërë qull”.

“Pamja më shokuese ishte bebeja në batanije, vajza e vogël ishte vetëm disa-javëshe dhe megjithatë arriti të kryejë një udhëtim që pakkush mund të kuptojë.

“Nëna e saj mezi fliste, më tha që quhet Ayyan.”

Ministria e brendshme britanike tha se do të ngrejë çështjen me homologët francezë teksa rritja e numrit të emigrantëve që vijnë nga ngushtica është e papranueshme.

Prej fillimit të vitit 17,000 emigrantë kanë arritur në brigjet e Britanisë, që është dyfishi i numrit të vitit 2020.