ër të mbështetur një rimëkëmbje më të shpejtë nga pandemia COVID-19, Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të sigurojë 100 milionë euro për Bankën e Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut.

Këto fonde do të jenë në dispozicion në kushte më të favorshme, si mbështetje e menjëhershme për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Financimi është pjesë e nismës Team Europe dhe paketës financiare të BEI për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, ndërsa rajoni rimëkëmbet nga COVID-19.

Skema mbështet bizneset e vogla në Maqedoninë e Veriut që veprojnë në sektorë intensivë, siç janë prodhimi dhe shërbimet, në mënyrë që ata të mund të rikuperohen shpejt nga kriza COVID-19. Janë siguruar burime të reja financimi, si për kapitalin qarkullues, edhe për investimet afatgjata, me maturitet më të gjatë dhe norma më të ulëta interesi. Kredia e BEI-t do të ndihmojë NVM-të të ruajnë vazhdimësinë e biznesit dhe të mbajnë vendet e punës, duke rritur produktivitetin dhe duke zgjeruar aktivitetet e tyre. Kjo hua është pjesë e një pakete financiare prej 1.7 miliardë eurosh të miratuar nga BEI në maj 2020, nën nismën Team Europe, për të ndihmuar rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit.

Lilyana Pavlova, nënkryetarja e BEI-së përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Si financuesja kryesore dhe një partner i vjetër si për vendin, ashtu edhe për Bankën e Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut, BEI është krenare që po siguron këtë mbështetje thelbësore për rimëkëmbjen e bizneseve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bashkëpunimi ynë i frytshëm u forcua nga vizita e kryeministrit Zaev dhe ministrit të Financave, Besimi, në selinë e BEI, në fillim të këtij viti. Kredia dëshmon përpjekjet tona për të ndihmuar tranzicionin e vendit në një ekonomi më të fortë, më konkurruese dhe të qëndrueshme, e integruar në tregjet rajonale dhe të BE-së. Ne jemi të bindur se do të rrisim më tej mbështetjen për investime në Maqedoninë e Veriut”.

Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut, Kire Naumov, tha: “Kam kënaqësinë të them se bashkëpunimi midis BEI-t dhe Bankës së Zhvillimit është strategjik dhe i suksesshëm. Në 13 vitet e fundit, kemi zbatuar pesë kontrata financimi dhe tani jemi duke prezantuar të gjashtën, duke siguruar 550 milionë euro në total për zhvillimin ekonomik në Maqedoninë e Veriut.

Në të ardhmen, kur do të përqendrohemi në rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen më të shpejtë, është thelbësore që të shfrytëzojmë potencialin e kompanive për rritje, zhvillim dhe përshtatje. Për ta bërë këtë, nevojitet partneritet i fortë midis kompanive dhe institucioneve financiare.

Si një Bankë e Zhvillimit, ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër nevojat e sektorit privat dhe do të përpiqemi të sigurojmë një portofol të produkteve dhe shërbimeve, në mënyrë që potenciali i plotë i kompanive të shfrytëzohet. Me këto 100 milionë euro në investime, ne presim të sigurojmë mbështetje financiare për të paktën 300 projekte të drejtuara nga bizneset e vogla dhe të mesme vendase”.