Sezoni fillon të zbulojë verdiktet e mëdha. Kemi arritur në fazën finale të të gjitha kompeticioneve dhe çmimet kryesore që jepen në fund të vitit kanë filluar të shohin dritë. Për sa i përket “Topit të Artë”, ka emra që ishin në listë prej kohësh.

Karim Benzema po kalon një sezon të shkëlqyer. Gjithashtu Mbappé, Salah apo Mané. Lewandowski ka dalë sërish jashtë Champions-it shumë herët, por sigurisht duhet të kemi parasysh çështjen e arritjeve kolektive. Dhe në këtë pikë, lojtarët e Real Madridit dhe Liverpool-it do ta nisin qartësisht me një avantazh këtë garë për çmimin prestigjioz të “France Football”.

Duke filluar nga klubi i ‘Reds’, mes Salah dhe Mané, dy kandidaturat më të dukshme, me siguri që senegalezi është më përpara. Ai vjen nga fitimi i Kupës së Afrikës dhe akumulon 20 gola në një tjetër sezon të madh. Përveç kësaj, skuadra e drejtuar nga Jürgen Klopp aspiron të fitojë Premier League dhe “FA Cup”.

Nga ana e tij, Karim Benzema është aktualisht favorit. Ai po kalon sezonin më të mirë të karrierës, është golashënuesi më i mirë në Champions League, me 15 gola, në La Liga me 26 gola dhe lider brenda e jashtë fushës së një skuadre që është në finalen e kompeticionit më të lartë kontinental.

Përveç kësaj, me La Liga-n tashmë në xhep, nëse ai fiton edhe Champions-in, zgjedhja e tij si lojtari më i mirë në botë do të ishte i padiskutueshëm.

Në rast se Liverpool-i do ta fitonte “kupën veshëgjatë”, atëherë mund të hapej një debat legjitim nëse e meriton Mané apo Benzema. Të fitosh Premier League, “FA Cup”, Kupën e Afrikës dhe Ligën e Kampionëve, do të ishte e vështirë të mos zgjidhje senegalezin.