Cristiano Ronaldo po e shpëton Manchester United çdo ndeshje, sipas Usain Bolt, i cili mendon se klubi duhet të kishte emëruar Antonio Conte si trajnerin e ri, kur kishte mundësi, para se të shkonte te Tottenham.

“Djajtë e Kuq” ka përjetuar një fillim katastrofik të sezonit 2021-2022 nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer, duke rënë në vendin e gjashtë të renditjes, me një rekord prej 5 fitoresh, 2 barazimesh dhe 4 humbjesh në 11 ndeshjet e para.

Ish-atleti xhamajkan dhe tifoz i Manchester United, Bolt, tetë herë fitues i medaljes së artë olimpike tha: “Ai (Conte) ka qenë te Chelsea, fitoi një titull. Ka qenë dhe tek Interi, ku ka fituar një titull. Ka qenë edhe te Juve, ku ka fituar po ashtu titullin.

Kudo që shkon, ai e strukturon ekipin aq mirë. Në janar, ai ndoshta do të marrë një ose dy lojtarë te “Spurs”. Më pas, në fund të sezonit do të gjejë lojtarët e duhur dhe do t’i sjellë at ate Tottenham”.

Kthimi i Ronaldos në “Old Trafford” nga Juventusi në merkaton e verës rriti nivelet e optimizmit tek tifozët e Manchester United. Ky i fundit mund të ketë luftuar për qëndrueshmëri, por 36-vjeçari ka qenë vdekjeprurës, me 9 gola në 12 ndeshje, në të gjitha garat.

Bolt mendon se Ronaldo po i mban gjallë “Djajtë e Kuq”, ndërsa Solskjaer nuk po e motivon si duhet skuadrën e tij: “Ne do të luftojmë për të dalë nga kjo situatë. Cristiano na ka shpëtuar çdo ndeshje. Një futbollist nuk mund të bëjë gjithë atë punë. Nuk kemi luajtur futboll të mirë për kaq shumë kohë”.