Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një zgjidhje për të ulur tensionet, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Borrell këtë deklaratë e bëri pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave Evropian, ndërsa tha se detyrimet nga dialogu nuk mund të injorohen.

“Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të gjetur një zgjidhje për të ulur tensionet. Është e papranueshme që të injorohen detyrimet që vijnë nga dialogu”, deklaroi Borrell.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian tha se nuk mund të arrijmë te 21 nëntori, pa pasur një marrëveshje, dhe se siç thotë ai dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës ka krijuar vakuum dhe mund të ndodhë më e keqja.

“Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakuum, mund të ndodhë më e keqja. Kështu që të dy palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, na duhet progres i qartë. E kemi prezantuar propozimin, e falënderoj Gjermaninë dhe Francën që e kanë mbështetur fuqishëm këtë propozim”, tha ai.

Borrell ka bërë thirrje për fillimin e hapave të parë për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione. Autoritetet kosovare duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të punojnë për implementimin e Asociacionit pa vonesa”, ka theksuar Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian.

“Për të ardhmen evropiane, presim një sjellje evropiane, presim vullnet për të gjetur zgjidhje evropiane, ky është një parakusht themelor, ata janë udhëkryqi tani, ata duhet të vendosin se në cilën rrugë duan të shkojnë, drejt Bashkimit Evropian, ose drejt së shkuarës”, ka theksuar Borrel