Kur flitet për rënien e mundshme të një skuadre nga kategoria, një nga termat që përdoret më shpesh është “dramë”. Ekzagjerim? Jo dhe aq, nëse e vë veten në vend të tifozëve, që në sezonin pasardhës do të jenë të detyruar të shpresojnë që skuadra e tyre të kthehet menjëherë në kategorinë kryesore.

Megjithatë, në disa raste drama nuk është vetëm sportive, sepse rënia nga kategoria mund të sjellë edhe disa pasoja, në disa raste të pritshme, ndonjëherë jo, që mund të vënë në rrezik të ardhmen e një klubi.

Kjo është situata e Burnley, që në javët e fundit të Premier League do të duhet të mbrojë me thonj dhe dhëmbë vendin e 16-të që mban aktualisht në kampionat, që vlen edhe mbijetesën.

Përndryshe? Përndryshe do të jetë një problem serioz për arkat e klubit. Siç ka shpjeguar Daily Mail, në rast të rënies nga kategoria klubit do të humbasë rreth 115 milionë sterlina. Dhe nuk është vetëm çështja e të drejtave televizive.

Dihet, të luash në Premier  u garanton klubeve shumë të ardhura nga shitja e të drejtave televizive dhe, sado e ndjekur të jetë, kategoria e dytë e futbollit anglez as që i afrohet. Nga ana tjetër është e vërtetë edhe se skuadrat që shkojnë në Championshit janë të pajisura me një “parashutë”, për të shmangur që financat të marrin një goditje të rëndë nga një rezultat sportiv negativ.

Kështu, duke rënë nga kategoria Burnley do të humbte shumë, por jo gjithçka, duke hequr dorë nga rreth 50 milionë sterlina. Ku qëndron problemi? Te një borxh prej 65 milionë sterlinash të marrë nga klubi në fillimin e vitit 2021.

Data për mbylljen e pagesës me këste është fiksuar në 2026-ën, por ka një klauzolë që rrezikon të prishë gjithçka: në rast të një rënie nga kategoria, paratë duhen paguar menjëherë. Një situatë që rëndon mbi kokën e Mike Jackson, trajneri i përkohshëm i ekipit pas shkarkimit të Sean Dyche, dhe gjithë skuadrës.

Me sa duket klubit ka vënë bast te rezultatet e mira të ekipit, jo pa arsye duke parë se Burnley ka arritur të luajë edhe në Europa League në sezonet e fundit dhe se mbijetesa ishte bërë një objektiv lehtësisht i arritshëm nën drejtimin e Dyche. Tani kanë mbetur katër ndeshje për t’u luajtur dhe fantazmat e Championship-it janë rikthyer në anët e Turf Moor…