Një person ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës dje rreth orës 16:00 pasi që dyshohet se ka ngacmuar një grua, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se i dyshuari kishte hyrë në një piceri në rrugën ‘Maliq Pashë Gjinolli’, ku me veprimet e tij ka shqetësuar pronaren e lokalit, e cila u detyrua që rastin ta denoncojë tek organet e rendit.

I dyshuari i cili është i njohur për Policinë për vepra të ngjashme, është shoqëruar në stacion ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.