Në 21 komuna të vendit gjatë ditës së djeshme u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, nga të cilat zyrtarisht dolën fituesit e komunave që në raund të parë nuk e arritën këtë.

E padyshim partia fituese e këtyre zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës e cila tani nën drejtimin e saj ka gjithsej nëntë komuna.

Për dallim nga këto zgjedhje, në vitin 2017 Partia Demokratike e Kosovës kishte fituar vetëm katër komuna anembanë vendit.

Lista Serbe ashtu si në zgjedhjet e kaluara nuk ka lëvizur numrin e komunave fituese nga ta.

Lista Serbe do të ketë nën drejtim sërish 10 komuna, njësoj si në vitin 2017 në zgjedhjet lokal të zhvilluara asokohe.

Ndryshe nga rezultati që pati në zgjedhjet nacionale duket se Lidhja Demokratike e Kosovës pati një këndellje dhe në këto zgjedhje doli me një rezultat më të mirë.

LDK tash e tutje do të ketë nën menaxhim saktësisht shtatë komuna.

Në vitin 2017, LDK kishte fituar tetë komuna.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në vitin 2017 pati shtatë komuna nën drejtimin e saj, tani është parti fituese në pesë komuna, shkruan lajmi.net.

Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte partia e parë e zgjedhjeve nacionale në këto zgjedhje ka arritur të fitojë vetëm katër komuna.

Ndërsa në vitin 2017 , Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në tri qytete.

Duhet përkujtuar që VV në zgjedhjet qëndrore arriti të marrë 50.28% të besimit të qytetarëve.

Kurse Nisma Socialdemokrate ka fituar vetëm në Komunën e Malishevës në zgjedhjet e mbajtura së fundi, njësoj si në vitin 2017.

Kurse KDTP ka arritur të fitojë drejtimin e Mamushës, njësoj si në zgjedhjet e zhvilluara më 2017.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara lokale ku pati dy kandidatë të pavarur fitues në dy komuna, në këto zgjedhje është vetëm një: Xhafer Tahiri me Inciativën Qytetarë për Obiliq.

Aleanca Kosova e Re nuk ka fituar asnjë komunë, derisa në zgjedhjet e kaluara kishte Mitrovicën e Jugut me Agim Bahtirin, i cili më pas kishte kaluar në LVV.