Sipas inteligjencës amerikane, raketat ruse që goditën të martën Ukrainën, kanë rënë edhe në Poloni duke lënë dy persona të vdekur.

Polonia është vend anëtar i NATO-s. Por çka do të thotë nëse sulmohet një vend anëtar i NATO-s?

Traktati i NATO-s, Neni 5 parashikon që nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar.

“Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të të drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me Palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në Nenin 5.

Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar raportimet se dy raketa ruse kanë rënë në Poloni, shtet anëtar i NATO’s, me ç’rast kanë shkaktuar vdekjen e dy personave, raporton agjencia e lajmeve, Associated Press.

Ai ka deklaruar për sulmin në kushte anonimiteti si pasojë e natyrës së ndjeshme të tij, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Müller, nuk e ka konfirmuar drejtpërsëdrejti këtë informacion, megjithatë ka treguar se liderët e shtetit po mbajnë takim urgjent si pasojë e një “situate kritike”.

Ndërsa sipas tabloidit britanik, Daily Express, raketat ranë në qytetin polonez Przewodów, i cili është në kufi me Ukrainën.

Raportohet se policia, prokuroria dhe ushtria tashmë janë në vendngjarje derisa forcat e armatosura poloneze thuhet se janë në gatishmëri të plotë për të vepruar.