Që Cristiano Ronaldo ishte një “maniak” për kujdesin ndaj trupit dhe fizikut të tij, kjo dihej. Por askush nuk mund ta priste se do të vendoste të paguante për të transportuar dhomën e tij personale për krioterapi (kurimi i trupit në temperatura shumë të ulëta) nga Torino në Manchester.

Siç ka bërë të ditur The Sun, portugezi ka bërë gjithçka ishte e mundur për të transferuar “banjën” e tij speciale nga Italia në Angli, pavarësisht vështirësive të mëdha të transportimit.

CR7 ka mbetur i kënaqur nga kjo dhomë për krioterapinë me vlerë 50 mijë sterlina, të cilën e ka montuar në vilën e tij në Torino dhe tani ka kërkuar që ajo të transportohej në Manchester.

“Nuk ka qenë e lehtë të transportohej nga Italia në Cheshire”, ka thënë një burim anonim për The Sun.

“Por, tani, Cristiano është i lumtur që dhoma është këtu sepse do ta ndihmojë në zakonin e tij të rikuperimit fizik pas ndeshjes. E donte me çdo kusht”.

Një dhomë e tillë për krioterapinë është e ideuar për të favorizuar rikuperimin muskulor. “Dhoma” është e projektuar për të rënë në temepratura deri në -200 gradë celsius për të ndihmuar në trajtimin e muskujve. Portugezi duket se i nënshtrohet një trajtimi të tillë që nga 2013-ta.