Me një reagim madhështor në pjesën e dytë, Tottenhami i Antonio Contes u rikthye te fitorja në Premier League, duke përmbysur rezultatin ndaj Leeds. Në fund të ndeshjes, trajneri i ri i Spurs komentoi suksesin e tij të parë në ligë në BBC Match of the Day:

“Këto tre pikë janë shumë të rëndësishme për ne. Ne fituam një lojë të vështirë. Në pjesën e parë ne kemi luftuar shumë në aspektin taktik dhe fizik, sepse Leeds solli intensitet për të na shtypur në çdo cep të fushës.

Në pjesën e dytë ndryshuam taktikë dhe strategji. Ne sollëm ndoshta një intensitet më të madh te Leeds dhe krijuam shumë raste, shënuam dy golat dhe e merituam fitoren.

Leeds luajti shumë mirë në pjesën e parë, me intensitet, ishte agresiv dhe fitoi shumë ndërhyrje. Ata ishin gjithashtu më të shpejtë me topin. Në pjesën e dytë ndryshuam taktikë dhe jam i lumtur sepse pata një përgjigje të shkëlqyer nga lojtarët. Nga minuta e parë e pjesës së dytë situata ndryshoi tërësisht. Lojtarët ishin të mirë dhe të sigurt në lojën e topit.

Kam tre javë që punoj me këta lojtarë dhe me pushimin e kombëtares kam pasur vetëm një javë. Sigurisht, mendoj se mund të përmirësohemi shumë në disa mënyra.

Më pëlqeu edhe mendërisht përgjigja e lojtarëve në pjesën e dytë, sidomos pas një pjese të parë në të cilën tifozët tanë nuk ishin të kënaqur. Në këtë lloj situate, shumë herë kalojmë në krizë dhe priremi të humbasim besimin”.