Jurgen Klopp kishte deklaruar pas ndeshjes kundër Tottenhamit se nuk i pëlqente mënyra e lojës së skuadrës së Antonio Contes. Një frazë që nuk i ka pëlqyer trajnerit nga Salento, i cili në konferencën e sotme për shtyp është kundërpërgjigjur:

“Ata që më njohin mirë e dinë që dua të fitoj çdo ndeshje dhe mundohem ta transferoj këtë mënyrë të menduari te lojtarët e mi. Sigurisht, kur stërvis, aspirata ime është të fitoj tituj. Të fitosh në Angli nuk është e lehtë.

Guardiola tha se Liverpool-i ka fituar një titull në 30 vite, ndoshta kjo tregon se nuk është e lehtë. Është më e lehtë të fitosh Ligën e Kampionëve apo kompeticionet e tjera sesa Premier League. Mendoj se është e rëndësishme që trajnerët e nivelit të lartë të qëndrojnë të fokusuar tek ekipi i tyre pas çdo ndeshjeje, jo te kundërshtarët e tyre”.

Si nisi polemika?

Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, foli për ‘BT Sport’ pas barazimit 1-1 kundër Tottenhamit të Antonio Conte. Gjermani i thuri elozhe kolegut të tij italian, por nuk i kurseu edhe një kritikë: “Jam me të vërtetë i kënaqur nga paraqitja dhe krenar për mentalitetin e treguar nga lojtarët e mi kundër një kundërshtari shumë të fortë.

Natyrisht, nuk është rezultati që donim, por paraqitja ka qenë ajo që doja, kështu që nga kjo pikëpamje gjërat kanë shkuar mirë. Kemi një pikë më shumë në krahasim me një ndeshje më parë, kështu që është mirë.

Është shumë e vështirë të luash kundër një kundërshtari me lojtarë të nivelit të lartë dhe një trajner të nivelit botëror (Conte). Mbi të gjitha, nëse mendojmë se ata kanë patur një javë për t’u përgatitur dhe ne luajmë çdo tri ditë.

Natyrisht, nuk më pëlqen stili i tyre i futbollit. Mendoj se janë një skuadër e madhe dhe duhet të guxojnë më shumë. Kundër nesh kanë patur 36% të zotërimit të topit. Është një problem i imi dhe nuk do të mund të luaja kurrë në atë mënyrë”.