Janë ende kohë të vështira për Cristiano Ronaldo-n, pavarësisht golit të tij të parë këtë sezon të enjten e kaluar në ndeshjen e Europa League kundër Sheriff-it.

CR7 realizoi me një penallti në fitoren 2-0 të Manchester United në Moldavi, por pakënaqësia e yllit portugez për qëndrimin e tij në Old Trafford nuk është larguar.

Megjithatë, lamtumira e Ronaldo-s me United mbetet një temë e nxehtë dhe një largim i mundshëm mund të materializohet në janar pas përfundimit të Kupës së Botës në Katar.

Kampioni luzitan synon të luajë Champions League dhe mund ta bëjë këtë në gjysmën e dytë të sezonit duke filluar nga 1/8-at, padyshim në një ekip që ka mbetur në garë për fazën me eliminim direkt të kompeticionit më prestigjioz europian të klubeve.

Një lamtumirë e mundshme e CR7 do t’u jepte një thesar të çmuar ‘Djajve të Kuq’, që shkon në 30 milionë sterlina, rreth 34 milionë euro me kursin e këmbimit.

Një çek – shkruan ‘Sun’ – që do t’i shtohej 70 milionë sterlinave (114 milionë euro) që drejtuesit e Manchester United synojnë të shpenzojnë për merkaton e dimrit dhe të përforcojnë më tej skuadrën në dispozicion të Ten Hag.

Frankie de Jong, i kërkuar prej kohësh në merkaton e kaluar të verës, duket se është akoma në dëshirat e trajnerit holandez.

Sulm i dështuar ndaj mesfushorit të Barcelona-s në verë, me dy klubet që arritën një marrëveshje ekonomike për transferimin e lojtarit në Angli, por futbollisti nuk pranoi të lëvizte nga Spanja.

Barça duket se e vlerëson holandezin rreth 60-70 milionë euro dhe mund të jetë një nga sakrificat e mundshme të drejtuesve blaugrana për të lehtësuar shpenzimet e pagave të skuadrës së Xavi-t.

Kështu, lamtumira e Cristiano Ronaldo-s mund të jetë baza për kalimin e De Jong te skuadra e Ten Hag, të cilën trajneri do të donte ta kishte përsëri me vete pas aventurës së përbashkët të suksesshme tek Ajax-i.