7:37 | 3 Janar 2022

07:37 | 3 Janar 2022

Bashkatdhetarët që kanë ardhur gjatë vitit 2021 në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth 2 miliardë euro, duke përfshirë edhe remitancat. Sipas ekspertëve që i kanë bërë këto hulumtime, thuhet se të hollat e derdhura në forma të ndryshme janë një mbështetje për ekonominë e Kosovës, sidomos në kohë të pandemisë.

Arbnor Mjeku nga “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me diasporën, thotë për KosovaPress se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë vitit 2021 në Kosovë arrijnë shifrën e rreth 1 miliard eurove.

Mjeku shtoi se për periudhën janar-tetor të vitit të kaluar remitancat kanë shënuar rekord, ku arritën vlerën e 956 milionë eurove ose 20 përqind më shumë sesa për të njëjtën periudhë në vitin 2020. Ndërsa, shuma rritet për shkak të vizitave dhe festave të fundvitit.

Numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë më 2021 vlerësohet të jetë mbi 1.5 milionë.

“Gjatë vitit (2021) ne presim një rritje prej 2 miliardë eurove, duke përfshirë remitancat dhe shpenzimet të cilat bëhen në Kosovë, pra 1 miliard e më shumë kanë me qenë remitanca dhe pjesa tjetër kanë me qenë shpenzime të cilat bëhen nga bashkatdhetarët në momentet kur frekuentojnë vendet e tyre amë, qoftë periudhën verore e po ashtu edhe në festat e fundvitit në dimër. Ne e dimë që shpenzimet janë të ndryshme e po ashtu, shpenzimet diasporës përbëjnë një kategori tjetër të të ardhurave në Kosovë. Këto të hyra janë të rëndësishme për buxhetin e Kosovës, duke ditur se buxheti i Kosovës është vetëm 2.7 miliardë euro gjë që tregon se të ardhurat e diasporës po e mbërrijnë atë shifër dhe jemi me fat që kemi atë shifër”, thotë Mjeku.

Sipas Mjekut, çdo bashkatdhetarë shpenzon mbi 2 mijë euro në muaj, në Kosovë.

“Nëse shikojmë një mesatare është mbi 2 mijë euro gjatë një muaj për person, duke llogaritur që i lë diaspora”, thotë ai.

Profesoresha universitare Albulenë Kastrati thotë për KosovaPress se trendi rritës i remitancave për 2021 tregon që ekonomia e Kosovës, ende nuk është rikuperuar nga pandemia.

“Fakti që ne po vazhdojmë të pranojmë kaq shumë remitanca, madje me trend rritës dhe përshpejtues, tregon që ne si ekonomi, akoma nuk jemi rikuperuar nga efektet pandemike, kjo është e para. E dyta, është që remitancat e ndihmojnë shumë konsumin, ushqimin, veshmbathjen dhe shërbimet mjekësore. Mirëpo, siç e dimë një pjesë e këtij financimi të konsumit prej remitancave shkon direkt në financimin e importit apo mallrave që i blejmë nga jashtë, që është një efekt negativ për shkak se importi po na ndikon të rrisim deficitin tregtar. Edhe efekti i dytë negativ, është se remitancat pak destabilizojnë tregun e punës në Kosovë, edhe ashtu jo fortë të balancuar, për shkak se remitancat në një farë mënyre i dembelojnë pak ata”, thekson ajo.

Sipas Kastratit, Qeveria nuk duhet të lavdërohet me rritjen e remitancave.

“Nuk besoj se remitancat janë diçka që duhet të lavdërohet shteti, qeveria, ose cilido shtet tjetër. Natyrisht se remitancat janë të mirëseardhura sidomos në kohë krizash, sidomos me të ardhura të ulëta sikur ne, Kosova. Normalisht që remitancat janë edhe një indikator që popullata ka nevojë për financim, edhe atë bazik”, thekson Kastrati.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka treguar se për periudhën 9-mujore, Kosova ka pranuar remitanca 956 milionë euro ose 20 përqind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2020.

“Gjithashtu rritje kemi edhe te remitancat, të cilat kanë arritur vlerën 956 milionë euro apo me një rritje vjetore prej 20 përqind. Kjo bëri që të rriten edhe kërkesat e brendshme dhe njëkohësisht të rritet importi”, thekson ai.

Deri tash dërgesat e shumta nga diaspora nuk është që janë kanalizuar në investime, pasi shpesh institucionet janë fajësuar se nuk krijuan kushte dhe ofertë të veçantë për tërheqjen e investitorëve.