Banorëve të lagjes 13 në Durrës ju ka ardhur një paralajmërim nga ana e IKMT-së, e cila ju kërkon që nesër ngas ora 12:00 deri në orën 16:00 të dalin nga shtëpitë, si dhe të lënë dritaret hapur dhe të ulin televizorët dhe çdo gjë tjetër në tokë.

Njoftimi i IKMT-së, vjen pasi nesër në zonën e plazhit do të kryhet një shpërthim i kontrolluar në një pallat 6 katësh, i planifikuar për tu shembur pasi është dëmtuar shumë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019-të.

Në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak dhe ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit Tiranë, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës (IMT) në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe forcat xheniere të ushtrisë Ministria e Mbrojtjes Tiranë kanë planifikuar prishjen me shpërthim të kontrolluar të pallatit 6 katësh, ADC, në lagjen 13 Plazh, në njësinë administrative nr.5, rruga “David Selenica”, Nr.18, Durrës.

“Për arsye sigurie njoftojmë të gjithë banorët e banesave dhe bizneset që ndodhen pranë këtij pallati që ditën e martë, datë 10 maj 2022, nga ora 12.00 deri në orën 16.00 të jenë të larguar nga banesat dhe subjektet e tyre dhe të marrin masa duke lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre, të ulin në dysheme televizorë, kompjuter si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme. Shpërthimi do të kryhet në orën 14.00″, thuhet në njoftim.