24 qershori 2022 do të mbetet ditë historike në Bullgari.

Kuvendi Popullor i Bullgarisë i dha sot mandat Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që të miratojë propozimin e Presidencës franceze për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, raportojnë mediat bullgare, transmeton Paparaci.

Kështu, Bullgaria heq veton që deri më tani ka bllokuar negociatat e Shkupit, por edhe të Tiranës, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas dy ditësh radhazi seancash të dështuara për shkak të sabotimit të opozitës, sot parlamenti arriti të miratonte heqjen e vetos për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Dokumenti i miratuar përfshin një kërkesë në mënyrë që të sigurohet përfshirja e bullgarëve në kushtetutën maqedonase ku përmendet trajtimi i popullit bullgar në baza të barabarta me popujt e tjerë në Maqedoninë e Veriut.