Dogana e Kosovës mbledh për herë të parë mbi një miliard euro

Ekonomia October 01, 2021 – 14:49

Sot Dogana e Kosovës ka arritur që për herë të parë që nga themelimi të grumbullojë mbi një miliard euro.

Në konferencën për shtyp, drejtori i përgjithshëm Agron Llugaliu theksoi se gjatë periudhës janar – shtator 2021 të hyrat kanë pasur rritje prej 6,51% nga projeksioni i rishikuar.

“Vetëm gjatë vitit 2021 për periudhën kohore 01 janar- 30 shtator Dogana ka arritur të tejkalojë projeksionin e rishikuar te të hyrave për 6,51% si , ndërkaq krahasuar me të hyrat e vitit 2020 për të njëjtën periudhe kemi një rritje për 33,74% të të hyrave të inkasuara e krahasuar me projeksionin për tërë vitin 2021, mund të themi se kemi arritur të grumbullojmë mjetet në lartësi prej 80% të buxhetit të planifikuar. Rritja e të hyrave në mënyrë direkte i atribuohet zhdoganimit të rregullt të mallrave të deklaruara sipas procedurave të përcaktuara nga Dogana. Mirëpo në këtë performancë një ndikim mjaft të madh e kanë aktivitetet e orientuara në parandalim të kontrabandës, evazionit fiskal dhe korrupsionit si dhe dukurive tjera, të cilat si indikatorë kanë shënuar rritje në krahasim me periudhën paraprake”, ka thënë Llugaliu.

Ai ka shtuar se gjatë këtij viti janë arrestuar 13 persona të dyshimtë, dy prej tyre janë zyrtarë doganorë, të cilët janë zënë në flagrancë duke lehtësuar kontrabandën me medikamente në njërin rast, ndërkaq në rastin tjetër një tjetër zyrtar doganor është arrestuar për mitëmarrje.

“Angazhimi maksimal i zyrtarëve doganorë është shumë kontributdhënës në gjithë këtë proces. Megjithatë të gjitha këto suksese të Doganës janë arritur duke pasur në vazhdimësi përkrahjen nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, MFPT, vendet partnere të BE-së, asistencën nga organizatat qeveritare amerikane, sidomos te programit EXBS, asistencën nga Ambasada Britanike dhe ambasadat e shteteve të tjera mike, agjencitë tjera të pavarura, përfaqësuesit e bizneseve, mediat, partnerët tanë vendorë etj.”, ka thënë Llugaliu. /Zëri