DOKUMENTET/ ‘Një orë këngë sa një apartament’, preventivët e blerjeve të Veliajt (dhe televizori i Ndrenikës)

Arben Rrozhani

Robert Ndrenika, në një vend tjetër që vlerëson artistët siç e meritojnë, do të ishte sot një milioner, sepse mbi gjysëm shekulli ia kushtoi kinemasë dhe teatrit, duke krijuar një galeri fantastike personazhesh dhe karakteresh. Por jetoi dhe zhvilloi artin në Shqipëri dhe, pas viteve ’90, ishte një aktor i madh që jetonte në varfëri. Prej vitesh është në pension dhe, pas humbjes së bashkëshortes, jeton vetëm. Ashtu e gjetën edhe një grup të rinjsh në fundjanarin 2017, ndërsa shkuan ta uronin për 75-vjetorin e lindjes. Njëra nga fotot e takimit zbuloi se aktori i shquar kishte një televizor të vjetër në shtëpinë modeste. Një kompani elektroshtëpiakesh nxitoi t’ia dhuronte një me ekran të sheshtë. Një vit më pas u afrua nga Veliaj dhe u dorovit me honorare mbledhjesh si anëtar i Këshillit Artistiko-Kulturor të Tiranës, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit ishte ‘ylli’ i fushatës elektorale të PS-së.

Të rinjtë në shtëpinë e Robert Ndrenikës, janar 2017

 

Aktorët Robert Ndrenika e Yllka Mujo dhe 7 anëtarë të tjerë, kanë firmosur me dhjetra projekte të bashkisë së Tiranës, me vlerë miliarda lekë. Më saktë kanë pranuar të firmosin në fletën e fundit, pa kërkuar preventivët e projekteve dhe dobishmërinë e tyre për kryeqytetin, duke mbyllur sytë përpara pagesës së honorarit prej 4500 lekë apo përfitimeve të tjera.

Nga viti në vit, buxheti i bashkisë së Tiranës është rritur me shifra të frikshme. Nuk është falë punës në zhvillimin e qytetit, por të rritjes së taksave dhe tarifave, që shtohen edhe pse shërbimet janë keq e më keq. 160 milionë euro ishte buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2020. Duke e prezantuar përpara këshillit bashkiak, më 26 nëntor 2019, Erion Veliaj e cilësonte atë buxhetin më të lartë të 100 viteve të Tiranës kryeqytet, me një rritje prej 11%. “Sot miratojmë buxhetin më të madh të Tiranës në 100 vite kryeqytet dhe buxhetin e 100-vjetorit. Është një vit jubile, për të cilin po përgatitemi me shumë aktivitete dhe ngjarje kulturore, për të lënë shenjë si kryeqytet i gjithë shqiptarëve”, shprehej Veliaj.

Në këtë thes të madh buxhetor që e mbushin taksapaguesit, mbi 2 milionë euro Veliaj i la mënjanë për të ashtuquajturat projekte të kulturën, artin, turizmin, rininë, sportin dhe promovimin e Tiranës-shkurt për blerjen e mbështetjes publike. Një fond gjigand, krahasuar me totalin, që u përdor për propagandë mediatike, blerje gazetarësh e mediash të shkruara dhe audiovizive, mbështetje nga figura të njohura të artit dhe kulturës, që shfaqeshin ‘rastësisht’ pranë kryetarit të bashkisë duke mbjellë pemë dhe hare. Shumica e projekteve, të bukur në letër, janë mbushur me fatura të stërfryra dhe preventivë që janë jashtë çdo logjike ekonomike.

Preventivët dhe vendimet e disa prej projekteve të financuar nga bashkia e Tiranës

 

Projektet i kanë thyer edhe kufijtë e bashkisë dhe interesave të Tiranës, duke financuar edhe aktivitete që u importuan nga bashki të tjera. Eli Fara, koncertin që nuk e bëri, duhej ta jepte në Korçë, ndërsa një koncert Jazz që bëhej në Shkodër u financua me 50 milionë lekë të vjetra.

Bashkia dha 50 milionë lekë për “Karaoke night” për tre orë koncert te amfiteatri, më 18 shtator 2020, ku në një monitor shkruheshin disa këngë tironse dhe 20 të rinj të qendrës rinore të Tiranës që i këndonin falas nga publiku, ndërsa njerëzit kërcenin dorëpërdore duke sfiduar distancimin fizik dhe masat anti-COVID. Ndërsa në fund të shtatorit 2020, u dhanë 30 milionë lekë për Fit-Fest, një projekt me kërcime nga një palestër e mbyllur. Projekte me preventivë të fryrë u bënë edhe në emër të pedalimit me biçikletë, promovimin e bibliotekave të qytetit, festivale letrare etj.

“Mishi tretet, kocka mbetet”-thuhet në një batutë të famshme të Robert Ndrenikës, në rolin e magjishëm të lypësit te filmi “Mësonjëtorja”. Gjysëm shekulli më pas miliardat janë tretur, por letrat kanë mbetur, si dëshmi e abuzimit të Veliajt me gjakun dhe djersën e taksapaguesve të Tiranës.

Disa nga pagesat e Thesarit të Shtetit për projektet e Veliajt 

 

Pagesat e bëra nga Thesari i Shtetit për “projektet kulturore” të Bashkisë së Tiranës në vitet 2018-2021 i gjeni në linkun

http://spending.data.al/sq/treasury/list/faqe/2/year/2019/inst_code/2101001/termi/proj+kult