Sulmuesi i Tottenham dhe kombëtares angleze Harry Kane është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me ekipin e Spurs. Lajmin e konfirmon “The Athletic”, që shkruan se 29-vjeçari ka nisur bisedimet me Tottenham për rinovimin e kontratës, e cila skadon ne verën e vitit 2024.

Javët e fundit është përfolur për një interesim të Manchester United, që kërkon ta marrë lojtarin gjatë merkatos së verës. Gjithsesi, edhe ekipe të tjera në Premier apo jashtë saj, si Bayern Mynih e Barcelona, janë interesuar për Harry Kane, një nga sulmuesit më të mirë aktualisht në botë.

Gjithsesi, duket se Kane kërkon t’i qëndrojë besnik skuadrës së Tottenham, me të cilën luan rregullisht prej vitit 2013. Mediat sqarojnë se bisedimet do të vijojnë pasi të përfundojë merkato e janarit dhe marrëveshja mund të arrihet shumë shpejt, pasi dëshira e sulmuesit është të qëndrojë në Londër.

Qëndrimi i Harry Kane me Tottenham do të pasohet me një rrogë “top” në Premier League, teksa shumë shpejt mund të bëhet golashënuesi më i mirë në histori në kampionatin anglez. Për të marrë Harry Kane, skuadrat “big” në Europë kanë ofruar shumë parà, por Spurs nuk pranojnë më pak se 150 milionë euro.