Mediat britanike konfirmojnë mëngjesin e sotëm se Manchester City ka rënë dakord për kushtet personale me Erling Haaland dhe pritet të paguajë klauzolën e lirimit të tij nga Borussia e Dortmundit këtë javë.

Erling Haaland do të jetë qendërsulmuesi i ri i Manchester Cityt nga vera e ardhshme. Kërkesa e Guardiolës për numrin e madh 9, e manifestuar menjëherë pas lamtumirës së Agueros, u pranua pasi fitoi një ankand, që Mino Raiola kishte ngritur në 12 muajt e fundit, ashtu siç vetëm ai dinte të bënte.

Ata që punonin me të, pas vdekjes së tij e kanë përcaktuar deri në detajet e fundit. Ankandi kishte nisur verën e kaluar dhe të gjithë e dinin se do të mbaronte vetëm më 2022, me pagesën e klauzolës prej 75 milionë euro, që ishte një hap themelor për transferimin e tij.

Para dy vitesh e gjysmë, norvegjezi preferoi të shkoi te BVB, jo te Juventusi, sepse donte të luante rregullisht, ndërsa te “Zonja e Vjetër” kishte konkurrencën e Higuain në atë kohë. Dortmundi konsiderohej hapi i ndërmjetëm para atij madhor në futboll, me një rrogë nga më të mirat në botë ose pothuajse. Raiola e kishte lexuar mirë dhe para vdekjes e vendosi klientin e tij në skuadrën që më shumë se kushdo tjetër do t’i garantojë fitore, paraqitje dhe para.

Cili menaxher në futbollin e sotëm është i suksesshëm në operacione të tilla? Kush e ka sot personalitetin në botë që të kritikojë hapur një trajner si Guardiola dhe pastaj ta mbyllë me të, sepse është zgjidhja më e mirë për klientin e tij, një marrëveshje me vlerë qindra milionë euro?

Vështirë të thuhet, ndoshta asnjë. Gjithashtu për shkak se sot menaxherët janë gjithnjë e më shumë ndërmjetës, ata punojnë edhe për klubet, edhe për klientët e tyre. Në të vërtetë, shpesh më shumë për klubet sesa për klientët e tyre…

Klubi i Pep Guardiolës duket se ka rënë dakord t’i paguajë sulmuesit të njëjtën rroge bazë si Kevin De Bruyne, së bashku me bonuse fitimprurëse. Kjo do te thote 280 mijë sterlina në javë. Praktikisht, 1.1 milionë stërlina në muaj, që në vit janë 13.2 milionë stërlina, ose gati 16 milionë euro në sezon. Duke shtuar bonuset, paga prek gati 18 milionë euro në sezon. Praktikisht, bruto 36 milionë euro në sezon, bashkë me taksat…

Një kontratë për 5 vite, me rritje të mëtejshme të rrogës në mesin e vitit të tretë, duke prekur kështu edhe mbi 20 milionë euro në sezon dhe në total një operacion që përfshin gati 180 milionë euro vetëm rrogë. Duke shtuar komisionin e Raiola-s shkon në gati 200 milionë euro.